Përdoruesit e Instagramit mund të shohin së shpejti mënyra të reja për të rregulluar përmbajtjen që shfaqet në aplikacion. Kjo u bë e ditur përmes një postimi nga kreu i Instagramit, Adam Mosseri, i cili prezantoi ndryshime në funksionin e njohur si “Your Algorithm”.
Ky funksion, i cili u lançua vitin e kaluar, u mundëson përdoruesve të specifikojnë temat që dëshirojnë t’i shohin më shpesh ose më rrallë. Mosseri deklaroi se synimi i kompanisë është që ta zhvillojë këtë funksion nga një cilësim i thjeshtë në një element qendror të përvojës së përdoruesit në platformë.
Lidhur me këto ndryshime, Mosseri theksoi se disa prej tyre janë aktualisht në fazë testimi, disa të tjera pritet të vijnë së shpejti, ndërsa paralajmëroi se disa mund të mos funksionojnë siç është planifikuar.
Në postimin e tij, ai shfaqi disa shembuj të mundshëm të qasjes në këtë funksion. Njëri prej tyre përfshin tërheqjen poshtë të feed-it për të hapur menunë e algoritmit, ndërsa një tjetër mundëson shfaqjen e një kërkese për personalizim përmes rrëshqitjes lart në një Reel. Gjithashtu, u prezantuan butona nën çdo Reel, të cilët do t’u lejojnë përdoruesve të tregojnë nëse dëshirojnë të shohin më shumë përmbajtje të ngjashme.
Megjithatë, reagimet e përdoruesve në postimin e Mosserit kanë qenë të ndryshme. Shumë prej komenteve më të pëlqyera përmbajnë të njëjtën kërkesë, ku një përdorues shkroi: “Ne thjesht duam që algoritmi ynë të shfaqë njerëzit që ndjekim”.
Instagrami vazhdon të integrojë këtë funksion në më shumë pjesë të aplikacionit, ndërsa mbetet të shihet se cilat nga këto risi do të bëhen pjesë përfundimtare e përvojës së përdoruesve.
Burimi: techcrunch.com
