Në ditën e parë të turneut Wimbledon, tenistja Naomi Osaka, e renditur si lojtarja e 14-të në botë dhe ish-numër 1, u shfaq në fushë me një veshje të bardhë të titulluar “Evolving Ceremony”, të krijuar nga dizajnerja e pavarur japoneze, Hana Yagi. Pjesëmarrja e saj ishte vënë në dyshim për shkak të një dëmtimi në këmbë, por ajo arriti të bënte hyrjen e saj në fushë.
Veshja është frymëzuar nga kimonoja tradicionale dhe nga “junihitoe”, veshja me 12 shtresa e fisnikëve të periudhës Heian (794–1185). Fustani është punuar nga shtatë tekstile të ndryshme, të ricikluara nga kimono të vjetra, një fustan tradicional dasme “shiromuku” dhe një fustan tjetër dasme i dekonstruuar. Osaka mbante gjithashtu bizhuteri nga kompania japoneze Mikimoto.
“Bashkëpunimi me Hana na lejoi të festojmë historinë dhe mjeshtërinë japoneze, duke krijuar diçka që ndihet krejtësisht moderne,” deklaroi Osaka. Ajo shtoi se veshja është projektuar për të qenë e fuqishme, delikate dhe e përshtatshme për lëvizje. Nën këtë veshje, ajo mbante një fustan performues nga Nike, i cili gjithashtu përmbante elemente të frymëzuara nga trashëgimia japoneze.
Kjo paraqitje është pjesë e një serie hyrjesh të Osaka-s në turne të ndryshme, që filloi në Australian Open me një fustan të Robert Wun dhe vazhdoi në French Open me një korsetë dhe fund nga Kevin Germanier. Stilisti i saj, Marty Harper, theksoi se këto veshje janë krijuar për t’u hequr shpejt para ndeshjes.
Veshja e Hana Yagi përbëhet nga nëntë pjesë të shkëputshme, të cilat mund të hiqen ose të kombinohen në mënyra të ndryshme gjatë turneut. Për këtë qëllim është përdorur sistemi me velcro. Gjithashtu, fustani ka një bisht prej rreth tre metrash që mund të rregullohet në varësi të fushës ku luan tenistja, për të shmangur dëmtimin e materialit gjatë ecjes.
Përmes këtyre zgjedhjeve, Osaka po fokusohet në qëndrueshmëri dhe në mbështetjen e dizajnerëve të pavarur. Pavarësisht rezultateve në ndeshje, qasja e saj ndaj hyrjes në fushë ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe mediave.
Burimi: nytimes.com
