Kredia prej 100 milionë eurosh për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës nuk është një hua e zakonshme bankare.
Dokumentet, të cilat i ka siguruar Paparaci, tregojnë se financimi është ndërtuar përmes një strukture financiare në Luksemburg, ku huadhënësi formal është Delphos Securities SARL, një kompani që administron kapitalin e investitorëve dhe jo një bankë që jep kredi nga fondet e veta.
Prapa kësaj strukture raportohet se qëndrojnë interesa ruse, sipas një shkrimi të publikuar nga Paparaci në mars të këtij viti.
Raporti në SHBA zbulon lidhjen e kredisë së Aeroportit të Vlorës me fonde që menaxhojnë borxhin rus
Dokumentet nuk zbulojnë asnjë detaj për strukturën që qëndron prapa Delphos. Nuk bëhet i ditur identiteti i atyre që kanë siguruar kapitalin fillestar, as burimi i fondeve me të cilat është financuar projekti.
Një amendament i marrëveshjes së kredisë mes kompanisë në pronësi të Behgjet Pacollit, Mabco Construction dhe Delphos, ndryshon edhe mënyrën se si funksionon financimi, tregojnë dokumentet.
Sipas tij, kompania që operon Aeroportin e Vlorës, Vlora International Airport (VIA), bëhet palë e drejtpërdrejtë në marrëveshjen e huasë, ndërsa llogaritë ku kalojnë të ardhurat e aeroportit lidhen me garancitë e kredisë.
Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se aeroporti është lënë peng apo se mund të kalojë automatikisht në pronësi të kreditorit. Megjithatë, në rast se detyrimet nuk përmbushen, marrëveshja i jep huadhënësit të drejta të rëndësishme mbi të ardhurat që gjeneron aeroporti.
Ndryshe pretendon Pacolli, në një komunikim me gazetarin Vehbi Kajtazi, deklaroi se aeroporti nuk është kolateral dhe se financimi është i lidhur me kolateralin e tij personal.
Mesazhi i Pacollit në WhatsApp që më shtyu të gjurmoja rrjedhën e kredisë 100 milionëshe
Ai nuk ka dhënë, megjithatë, detaje për investitorët apo burimin e fondeve, duke argumentuar se këto janë çështje private dhe se procedurat e verifikimit janë kryer nga institucionet përgjegjëse.
Megjithatë, dokumentet publike deri më tani, dëshmojnë se struktura e financimit u jep kreditorëve të drejta të konsiderueshme mbi të ardhurat e projektit në rast të mospërmbushjes së detyrimeve.
Ndërsa identiteti i investitorëve që financuan kredinë prej 100 milionë mbetet ende i mister. /Paparaci.com
