Një aksion i gjerë i udhëhequr nga Prokuroria Speciale ka nisur në orët e para të mëngjesit, në më shumë se 40 lokacione në mbarë Kosovën, pas një hetimi disa mujor mbi dyshimet për një skemë të organizuar kriminale.
Siç raporton portali Indeksonline, në aksion janë përfshirë Prokuroria Speciale, Njësia e Hetimeve Tatimore të ATK-së, Policia e Kosovës dhe Njësia e Hetimeve e Doganës së Kosovës.
Hetimet lidhen me dyshimet për pastrim parash, shmangie të pagesës së tatimeve dhe doganave, si dhe transaksione fiktive në sektorin e derivateve të naftës.
Duke cituar burime, portali Indeksonline raporton se ekzistojnë dyshime për një skemë kriminale, ku kompani importuese nga Shqipëria dyshohet se kanë importuar ujë në vend të derivateve të naftës, duke përdorur kompani fiktive dhe kompani aktive në Kosovë për të realizuar skemën dhe për të fshehur gjurmët e transaksioneve.
Po ashtu, sipas burimeve, Hetimet Tatimore të ATK-së dyshojnë se disa nga bizneset e përfshira kanë lëshuar fatura fiktive për importe të pretenduara të derivateve të naftës, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitimin e kundërligjshëm financiar.
