Të fundit

Tahiri: Politikanët nga Kosova të mos përfshihen në protestat në Shqipëri

Deputeti i rizgjedhur i Aleancës, Besnik Tahiri, ka vlerësuar se protestat që po mbahen në Shqipëri janë çështje e brendshme e shtetit shqiptar, duke kërkuar që as partitë politike dhe as politikanët nga Kosova të mos përfshihen në to.

I pyetur lidhur me pretendimet për përfshirjen e eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje në protestat në Shqipëri, ndonëse një gjë e tillë është mohuar nga kjo parti, Tahiri për Ekonomia Online, tha se demonstrimi është një e drejtë demokratike, por theksoi se Kosova nuk duhet të bëhet pjesë e zhvillimeve të brendshme politike në shtetin shqiptar.

“Ajo që dua të them sa i përket protestave në Republikën e Shqipërisë është bukur e thjeshtë. Protestimi dhe demonstrimi është mjet demokratik dhe u takon institucioneve të shtetit shqiptar ta trajtojnë këtë çështje, dhe vetë atyre që i kanë kërkesat dhe shtetit shqiptar për me e trajtu. Pra, kjo nuk është çështje e brendshme e jona. Kërkesa ime është që askush prej nesh të mos ta marrë guximin as të involvohet, as të protestojë, as të vendosë kauza politike në Shqipëri, për shkak se kjo nuk e ndihmon as Shqipërinë, nuk e ndihmon as kauzën e protestuesve, nuk e ndihmon as Kosovën, mirëpo vetëm sa e vendos në konflikt të hapur shtetin shqiptar me Kosovën”, deklaroi Tahiri.

Ai tha se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar të rrugëtimit të saj evropian dhe se çdo përfshirje nga jashtë mund të dëmtojë këtë proces.

“Shqipëria është vetëm dy hapa para anëtarësimit të vet në Bashkimin Evropian. Protesta është demokratike, se qysh e trajton shteti shqiptar dhe institucionet, është çështje e tyre. Por një gjë e di: armiqtë shekullorë të shqiptarëve, të Shqipërisë, duan me pa Shqipërinë të penguar në ecjen e saj drejt Bashkimit Evropian. Ky është procesi më historik i kombit shqiptar pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Është anëtarësimi në BE”, u shpreh ai.

Tahiri tha se ka parë eksponentë të Vetëvendosjes në protesta, por shtoi se nuk dëshiron ta paragjykojë vetë protestën.

“Në këtë kuptim, le të jenë protestat, ndodhin, por jo të involvohen shqiptarët e Kosovës, jo të involvohen partitë politike, sepse ne kemi pa eksponentë të partisë politike të Vetëvendosjes duke protestuar dhe ne nuk e dimë pse. Nuk dua të paragjykoj protestën, nuk është e imja. Mirëpo, si dikush që ka funksion publik të lartë dhe ka pasur funksione të larta, unë e di që armiqtë e Kosovës, armiqtë e Shqipërisë dhe armiqtë e shqiptarëve e kanë bukur në agjendën e tyre pengimin e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e BE-së, portretizimin e shqiptarëve dhe lidhjen e tyre me elementin radikal islam, si dhe me agjenda jo-perëndimore. Mbi të gjitha, synimi është destabilizimi”, tha ai.

Tahiri u bëri thirrje partive politike dhe qytetarëve nga Kosova që të mos ndërhyjnë në zhvillimet politike në Shqipëri, duke theksuar se qytetarët shqiptarë duhet të vendosin vetë për të ardhmen e tyre politike.

“Kam thirrje të drejtpërdrejtë për të gjithë ata: t’i këqyrim punët tona në Kosovë, sepse kemi boll probleme. Mos t’i shtrijmë duart dhe mos të involvohemi në një çështje që është e tyre, është e protestuesve, është e kërkesave dhe është e qeverisë. Me këtë po i bëhet dëm historik shqiptarëve, Shqipërisë dhe Kosovës. Nuk na takon neve ta thellojmë ndarjen, neve na takon të përçojmë mesazhe uniteti dhe t’ia lëmë qytetarëve të Shqipërisë të vendosin kë duan ta kenë udhëheqës. Protestimi është e drejtë demokratike, ndërsa involvimi i Kosovës është sulm i drejtpërdrejtë ndaj shtetit shqiptar në një situatë jashtëzakonisht jetike dhe sensitive për Shqipërinë”, shtoi Tahiri.

Video nga Paradoks

VV SHOW - Dhuna verbale, a po e shtyn Vetevendosje një konflikt të madh shoqëror

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci