Organizata Amnesty International ka publikuar një raport ku akuzon Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në Sudan për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit dhe pastrimit etnik gjatë pushtimit të qytetit El Fasher. Sipas raportit, këto veprime janë kryer si pjesë e një sulmi sistematik ndaj civilëve, duke përfshirë vrasje, tortura, përdhunime, skllavërim dhe shfrytëzim seksual.
Në raport thuhet se RSF-ja ka shënjestruar në mënyrë të qëllimshme fëmijët gjatë sulmeve në këtë qytet të shtetit të Darfurit Verior. Në fund të tetorit të vitit të kaluar, forcat paraushtarake morën kontrollin e El Fasherit, i cili ishte bastioni i fundit i Forcave të Armatosura të Sudanit në rajonin e Darfurit, pas një rrethimi 18-mujor që rezultoi me dhjetëra mijëra të vrarë.
Për hartimin e këtij dokumenti, Amnesty International ka intervistuar 247 persona, përfshirë 208 të mbijetuar të luftimeve, si dhe ka analizuar materiale video dhe imazhe satelitare. Organizata konkludoi se RSF-ja ka kryer krime lufte midis mesit të vitit 2024 dhe fundit të vitit 2025, duke shënjestruar civilët jo-arabë dhe duke shkatërruar vendbanime si Abu Zerega, veprime këto që përputhen me përkufizimin e pastrimit etnik.
Raporti identifikon tre komandantë të RSF-së si përgjegjës për shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar: Gjeneralmajor Gedo Hamdan Ahmed Mohamed, i njohur si “Abu Shok”, nënkolonel Abbas Khater Bakhit dhe komandantin Al-Fateh Abdullah Idris, i njohur si “Abu Lulu”.
Sekretarja e përgjithshme e Amnesty International, Agnès Callamard, e përshkroi situatën si një luftë kundër civilëve dhe një njollë për ndërgjegjen e njerëzimit. Organizata ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe për dërgimin urgjent të një force ndërkombëtare për mbrojtjen e civilëve, duke kërkuar që komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë hapa konkretë për t'i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
Lufta civile në Sudan, e cila filloi në prill të vitit 2023 pas një përplasjeje për pushtet midis Forcave të Armatosura të Sudanit dhe RSF-së, ka shkaktuar vdekjen e qindra mijëra personave dhe zhvendosjen e një numri të madh të popullsisë.
Burimi: theguardian.com
