Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se gjatë vitit të kaluar ka siguruar mbi 1.4 miliardë dollarë (rreth 1.05 miliardë paund) të ardhura nga aktivitetet e tij të biznesit në fushën e kriptovalutave, sipas raportit të detyrueshëm financiar të publikuar së fundmi.
Në dokumentin prej 927 faqesh, Trump raportoi 635 milionë dollarë të ardhura nga honoraret përmes një subjekti të quajtur Celebration Coins, i cili besohet se qëndron pas monedhës meme $TRUMP. Vlera e kësaj kriptovalute ka rënë ndjeshëm që nga lançimi i saj, vetëm disa ditë para se Trump të merrte detyrën si president.
Po ashtu, raporti tregon se Trump ka përfituar mbi 500 milionë dollarë nga World Liberty Financial, një kompani e kriptovalutave e themeluar nga djemtë e tij dhe fëmijët e të dërguarit të tij të posaçëm, Steve Witkoff.
Në total, të ardhurat e lidhura me kriptovalutat arrijnë në 1 miliard e 430 milionë e 390 mijë e 415 dollarë.
Raporti financiar zbulon gjithashtu se të ardhurat totale të Trump gjatë vitit të kaluar kanë qenë të paktën 2.2 miliardë dollarë, një rritje e konsiderueshme krahasuar me deklarimin e vitit 2024, kur ai kishte raportuar mbi 600 milionë dollarë të ardhura.
Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë pretendimet për konflikt interesi, duke theksuar se bizneset e presidentit janë vendosur në një fond besimi (trust) që menaxhohet nga djemtë e tij.
Zëvendëssekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, deklaroi se presidenti ka kontribuar që Shtetet e Bashkuara të bëhen “kryeqyteti botëror i kriptovalutave”.
“Presidenti dhe familja e tij nuk janë përfshirë kurrë dhe nuk do të përfshihen kurrë në konflikte interesi,” tha Kelly, duke shtuar se të gjitha vendimet e administratës Trump merren në interesin më të mirë të qytetarëve amerikanë.
Edhe vetë Trump mohoi se përfitimet e tij lidhen me postin presidencial.
“E dini pse po fitoj? Sepse tregu i aksioneve po rritet dhe të gjithë po përfitojnë,” u tha ai gazetarëve.
Presidenti shtoi se nuk merret personalisht me financat e tij.
“Kam fituar shumë para edhe para se të bëhesha president. Fondet e mia menaxhohen nga persona të tjerë që investojnë paratë e mia dhe unë nuk diskutoj me ta,” deklaroi Trump.
Megjithatë, raporti financiar ka nxitur diskutime të reja mbi lidhjet e presidentit me industrinë e kriptovalutave, ndërsa administrata e tij vazhdon të mohojë çdo konflikt të mundshëm interesi.
