Bitcoin është rikthyer mbi nivelin e 60,000 dollarëve gjatë kësaj jave, megjithatë analistët paralajmërojnë se tregu mund të përballet me një volatilitet të shtuar. Sipas të dhënave nga firma e analizave blockchain, CryptoQuant, depozitat e Bitcoin në shkëmbimet e centralizuara janë rritur ndjeshëm gjatë javës së fundit, periudhë kjo kur vlera e monedhës ra nën pragun e 60,000 dollarëve.
Depozitat e kësaj kriptomonedhe arritën në gati 50,000 BTC në ditë, një shifër që është shënuar vetëm katër herë gjatë këtij viti. Në rastet e mëparshme, ky fenomen ka paraprirë një rritje të ndjeshme të volatilitetit të çmimit. Raporti i së enjtes nga CryptoQuant thekson se ky fluks përkon me testimin e nivelit kritik të mbështetjes prej 60,000 dollarësh.
Përveç vëllimit, është rritur edhe madhësia e depozitimeve individuale. Mesatarja e depozitave të Bitcoin u dyfishua nga 1 BTC në 2 BTC. Sipas firmës, ky tregues sugjeron se rritja e depozitimeve po nxitet nga investitorët institucionalë dhe "balenat" e tregut, e jo nga tregtarët e vegjël. Historikisht, një rritje e tillë në madhësinë e depozitave nga entitete të mëdha konsiderohet si një sinjal më bearish sesa vëllimi i lartë i thjeshtë, pasi tregon një ripozicionim të qëllimshëm.
Edhe kriptomonedhat e tjera kanë shfaqur lëvizje të ngjashme. Influx-et ditore të Ethereum arritën kulmin në 1.25 milionë, ndërsa transaksionet e depozitave për altcoin-et e tjera u rritën në mbi 45,000 në ditë.
Aktualisht, Bitcoin po tregtohet në 62,886 dollarë, pas një rritjeje prej 3.5% këtë javë, ndërsa Ethereum ka shënuar një rritje prej gati 12%, duke u këmbyer në 1,787 dollarë. Pavarësisht këtyre lëvizjeve, Bitcoin mbetet mbi 50% larg nga niveli i tij më i lartë historik prej 126,080 dollarësh, ndërsa Ethereum është rreth 64% larg rekordit të tij prej 4,946 dollarësh.
Burimi: decrypt.co
