Lideri i partisë Reform UK, Nigel Farage, dyshohet se ka pranuar përfitime financiare nga George Cottrell, një person i dënuar për mashtrim, pa i deklaruar ato sipas rregullave parlamentare. Sipas një hetimi të publikuar nga gazeta "Sunday Times", mbështetja e ofruar nga Cottrell përfshinte shërbime sigurie, shoferë, staf dhe akomodim.
Gazeta raporton se ai kishte rekrutuar dhe paguar tre punonjës për menaxhimin e rrjeteve sociale të Farage-it përpara zgjedhjeve të përgjithshme, si dhe i kishte mundësuar atij përdorimin e një shtëpie pesëkatëshe në stilin gjeorgjian, të marrë me qira pranë Pallatit Buckingham.
Kodi i sjelljes për deputetët në Britani të Madhe kërkon që anëtarët e rinj të deklarojnë çdo përfitim me vlerë mbi 300 paund, të marrë brenda 12 muajve para zgjedhjes së tyre, nëse ai lidhet me aktivitetet politike. Pas zgjedhjes së tij në vitin 2024, Farage kishte deklaruar vetëm një përfitim nga Cottrell, me vlerë rreth 9,200 paund, për udhëtimin në një konferencë në Belgjikë.
Megjithatë, deputeti i Liberal Demokratëve, Josh Babarinde, i është drejtuar me një letër Komisionerit Parlamentar për Standarde, duke kërkuar një hetim zyrtar mbi këto pretendime.
Aktualisht, Farage është nën hetim nga komisioneri parlamentar për pranimin e pesë milionë paundëve nga miliarderi i kriptomonedhave, Christopher Harborne, për të cilat Farage ka deklaruar se janë përdorur për sigurinë e tij. Ndërkohë, Cottrell, i cili kishte pranuar fajësinë për mashtrim në vitin 2017, është duke kërkuar falje nga presidenti amerikan Donald Trump.
Burimi: aljazeera.com
