Gjiganti i industrisë së mbrojtjes, Lockheed Martin, është duke udhëhequr garën për blerjen e grupit të mbrojtjes detare Ultra Maritime. Sipas burimeve të afërta me CNBC, vlera e kësaj marrëveshjeje përllogaritet të jetë rreth 3,5 miliardë dollarë. Në këtë proces, kompanitë Guggenheim dhe JPMorgan janë duke shërbyer si këshilltarë për palën shitëse.
Ultra Maritime, e cila aktualisht është në pronësi të firmës së kapitalit privat Advent International, është e specializuar në teknologjinë anti-nëndetëse.
Një raport i publikuar javën e kaluar nga Financial Times bëri të ditur se bisedimet janë ende në zhvillim e sipër. Më herët gjatë vitit 2026, Advent International e kishte nxjerrë kompaninë në shitje për një vlerë prej më shumë se 3 miliardë paundë, ose rreth 4 miliardë dollarë.
Lockheed Martin renditet ndër kompanitë më të mëdha të mbrojtjes në botë. Portofoli i saj përfshin prodhimin e avionëve luftarakë si F-35 Lightning II dhe municioneve të ndryshme, përfshirë raketat mbrojtëse Patriot.
Sektori i mbrojtjes ka shënuar rritje gjatë vitit 2026, ndërsa kërkesa për municione është shtuar në nivel global për shkak të konflikteve të ndryshme, nga Ukraina deri në Iran. Në muajin prill, Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqe në Stokholm (SIPRI) raportoi se shpenzimet globale për mbrojtje gjatë vitit 2025 arritën në 2,89 trilionë dollarë, shifër kjo e nxitur kryesisht nga shpenzimet e mëdha të vendeve evropiane.
Burimi: cnbc.com
