Të fundit

Një muaj nga zgjedhjet, pa rezultate të certifikuara dhe pa institucione të reja

Sot janë bërë një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, por procesi zgjedhor vazhdon të mbetet i papërfunduar për shkak të ankesave që po trajtohen nga institucionet përgjegjëse.

Vetëm pas përfundimit të këtij procesi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të bëjë certifikimin e rezultateve, duke i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.

Ndërkohë, skena politike ka vazhduar me deklarata dhe përgatitje për fazën e ardhshme institucionale. Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se beson se i ka numrat e nevojshëm për formimin e ekzekutivit të ri, ndërsa ka shprehur gatishmëri që për zgjedhjen e presidentit të kërkojë një marrëveshje më të gjerë politike me partitë parlamentare.

Nga ana tjetër, partitë opozitare kanë theksuar se do të presin certifikimin e rezultateve përpara se të marrin vendime për hapat e mëtejmë politikë dhe për pozicionimin e tyre në raport me procesin e krijimit të institucioneve.

Njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se edhe pas certifikimit të rezultateve, sfidë mbetet sigurimi i shumicës parlamentare për formimin e institucioneve.

Sipas tyre, përderisa formimi i Qeverisë kërkon shumicë të thjeshtë parlamentare, zgjedhja e presidentit kërkon një mbështetje më të gjerë politike, çka mund të imponojë negociata dhe kompromise mes subjekteve politike.

Kalimi i një muaji nga dita e zgjedhjeve pa certifikimin e rezultateve nënkupton se vendi vazhdon të jetë në pritje të përfundimit të procesit zgjedhor, duke shtyrë edhe fillimin e afateve kushtetuese për konstituimin e institucioneve të reja.

Pas certifikimit, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu pritet të ndërmarrë hapat kushtetues për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit, e cila do t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Sipas rezultateve përfundimtare, LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është fituese e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit me 47.13 për qind të votave apo 53 mandate në Kuvendin prej 120 vendesh.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka fituar 19.44 për qind, apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 16.69 për qind, apo 18 ulëse dhe Aleanca 6.74 për qind, apo 7 mandate./Telegrafi.

Video nga Paradoks

VV SHOW - Dhuna verbale, a po e shtyn Vetevendosje një konflikt të madh shoqëror

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci