Kanadaja, sipas raportimeve, do të porosisë 12 nëndetëse nga kompania gjermane e industrisë së mbrojtjes TKMS. Kontrata e madhe u bë publike pak para fillimit të samitit të NATO-s në Ankara të Turqisë.
Bëhet fjalë për një marrëveshje ushtarake me vlerë miliarda euro: Kanadaja po blen dymbëdhjetë nëndetëse ultramoderne nga ndërtuesi gjerman i anijeve ushtarake TKMS. Sipas gazetës kanadeze The Globe and Mail, TKMS fitoi procesin e tenderimit duke mposhtur kantierin detar koreano-jugor Hanwha Ocean. Të dy kompanitë kishin luftuar për muaj të tërë për këtë kontratë.
Kanadaja synon të blejë nëndetëse të tipit 212 CD, të cilat po ashtu janë porositur nga marina gjermane dhe ajo norvegjeze. Kostoja e projektit vlerësohet në më shumë se dhjetë miliardë euro.
Të hënën (06.07.2026) në mëngjes, qeveria gjermane shprehu shpresën se qeveria kanadeze do të zgjidhte TKMS-në, degën e mbrojtjes së Thyssenkrupp me seli në Kiel.
“Ky është një projekt strategjik i madh. Nëse realizohet, do ta lidhë Kanadanë me ne për dekada,” tha një përfaqësues i qeverisë në Berlin, duke theksuar dimensionin transatlantik të kësaj marrëveshjeje ushtarake.
Sipas tij, kancelari federal Friedrich Merz (CDU)kishte investuar shumë punë politike gjatë javëve dhe muajve të fundit për realizimin e projektit.
Boris Pistorius promovoi nëndetëset ultramoderne
Nëndetëset e tipit 212 CD janë jashtëzakonisht të vështira për t’u zbuluar dhe, falë baterive moderne litium-jon, mund të operojnë për javë të tëra në mënyrë autonome dhe krejtësisht në heshtje.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius (SPD),gjatë një vizite në Kanada ku promovoi nëndetëset e prodhuara në Gjermani, deklaroi se nuk ekziston asnjë nëndetëse konvencionale e krahasueshme me to.
“Së bashku mund të ndërtojmë flotën më të madhe dhe më moderne të nëndetëseve konvencionale në botë.”
Drejtori ekzekutiv i TKMS, Oliver Burkhard, kishte njoftuar se synonte të siguronte kontratën kanadeze përmes një pakete të gjerë industriale. Sipas raportimeve mediatike, bisedimet shkuan shumë përtej nëndetëseve dhe përfshinin angazhime të mundshme investimi në fushat e: mineraleve të rralla, industrisë minerare, inteligjencës artificiale, dhe prodhimit të baterive për industrinë automobilistike.
Sipas Burkhardit, kjo është: “Kontrata më e madhe që është dhënë ndonjëherë në botën e nëndetëseve konvencionale te një partner i NATO-s.”
Bashkëpunim transatlantik në mbrojtje – edhe pa SHBA-në
Kjo kontratë e madhe nuk është fitore vetëm për TKMS-në; ajo është gjithashtu në favor të Gjermanisë nga pikëpamja e politikës së jashtme.
Sipas qeverisë gjermane, bashkëpunimi më i ngushtë strategjik me Kanadanë forcon edhe NATO-n, e cila po mban samitin e saj vjetor në Ankara të Turqisë.
Aleanca ndodhet në një fazë të riorientimit strategjik: SHBA-ja po zvogëlon kontributet e saj ushtarake, Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi, dhe po shton investimet në mbrojtje.
Marrëveshja e planifikuar për nëndetëset forcon bashkëpunimin midis Kanadasë, Gjermanisë dhe Norvegjisë, partnerit të tretë në këtë program, si në nivelin e industrisë së mbrojtjes ashtu edhe në sigurimin e krahut verior të NATO-s.
Një nga objektivat e shpallura të aleatëve të NATO-s është blerja e sistemeve të standardizuara për të lehtësuar bashkëpunimin ushtarak, për shembull: shkëmbimin e shpejtë të të dhënave, trajnimin e ekuipazheve, dhe mirëmbajtjen teknike.
Deri më tani, Gjermania dhe Norvegjia kanë vendosur të blejnë nga gjashtë nëndetëse secila të këtij lloji. Me porosinë e Kanadasë, prodhimi i përgjithshëm tani dyfishohet.
Aksionet e TKMS-së u rritën përkohësisht me deri në 11 për qind.
Vende të reja pune falë porosive të siguruara
Nga kjo marrëveshje ushtarake pritet të përfitojë edhe kantieri detar në Wismar, në landin Mecklenburg-Vorpommern.
Aty ndërtoheshin më parë anije turistike, derisa operatori falimentoi në vitin 2022. Në mesin e vitit 2022, TKMS mori në pronësi kantierin dhe e orientoi atë drejt ndërtimit të anijeve ushtarake dhe speciale.
Është ngritur një linjë prodhimi për seksionet e trupit të nëndetëseve dhe po krijohen vende të reja pune.
Falë kontratës së madhe nga Kanadaja, të gjitha objektet prodhuese të TKMS-së pritet të jenë të angazhuara plotësisht për shumë vite në vijim.
