Një shtetas kosovar, i kërkuar me letër-rreshtim ndërkombëtar përmes INTERPOL-it, është ekstraduar nga Hungaria në Kosovë, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit, ekstradimi është realizuar më 7 korrik 2026 nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
“Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, me datën 07.07.2026 ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Hungaria për në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet hungareze, pasi ndaj tij ishte lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar përmes INTERPOL-it nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.
“Individi kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar, të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale ‘Armëmbajtje pa leje dhe fshehje e provave’”, thuhet më tej në komunikatë.
Policia bëri të ditur se ekstradimi është realizuar falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Hungarisë.
“I dyshuari pas ekstradimit u është dorëzuar njësive përkatëse policore për vazhdim me procedurat tjera ligjore”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare në gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e personave të kërkuar për vepra penale.
