Një fluturim drejt Athinës, i realizuar në prill të vitit të kaluar nga Wizz Air, shmangu për pak një aksident të rëndë, pasi pilotët bënë një gabim gjatë përgatitjeve për ngritje.
Sipas raportit të Departamentit Britanik për Hetimin e Aksidenteve Ajrore (AAIB), ekuipazhi nuk futi saktë në sistemin kompjuterik të avionit të ashtuquajturat V-speed (shpejtësitë kritike të ngritjes), parametra jetikë që përcaktojnë momentin kur avioni duhet të ngrihet nga pista.
Fluturimi Wizz Air 5411, i operuar nga kompania çarter Ascend Airways, e cila tashmë ka falimentuar, u nis nga aeroporti Luton në Londër.
Avioni Boeing 737 MAX u shkëput nga pista kur i kishin mbetur vetëm 162 metra, ose rreth dy sekonda, para përfundimit të saj.
Të dhënat e FlightRadar24 tregojnë se avioni u ngrit me një shpejtësi prej rreth 270 km/h, ndërsa në momentin kur kaloi fundin e pistës ndodhej në një lartësi prej vetëm katër metrash, megjithëse standardet e sigurisë kërkojnë të paktën 11 metra.
A Wizz Air flight carrying 162 passengers ‘two seconds from disaster’ after a pilot error
🔗: https://t.co/ST6fjtyaQ8 pic.twitter.com/9QdqrU3I52
— The Telegraph (@Telegraph) July 9, 2026
Në bord ndodheshin 162 pasagjerë, katër anëtarë të ekuipazhit të kabinës dhe dy pilotë.
Hetimi zbuloi se kontrollorët e trafikut ajror i ofruan ekuipazhit një hyrje më të afërt në pistë, çka bëri që avioni të mos nisej nga fillimi i saj, por nga një pikë më e avancuar. Kjo uli ndjeshëm gjatësinë e disponueshme për përshpejtim.
Pilotët besuan se kishin përditësuar parametrat e ngritjes për kushtet e reja, por në fakt të dhënat nuk ishin futur saktë. Si pasojë, motorët punuan me fuqi më të ulët se sa kërkohej, duke shkaktuar një përshpejtim më të gjatë dhe një ngritje më të ngadaltë.
Sipas hetuesve, nëse gjatë ngritjes do të kishte ndodhur një defekt në motor, pasojat mund të kishin qenë shumë më të rënda, pasi avioni mund të mos kishte arritur lartësinë minimale të sigurisë ose nuk do të kishte pasur hapësirë të mjaftueshme për të ndalur në pistë.
Pavarësisht incidentit, avioni u ul pa probleme në Athinë dhe gjatë së njëjtës ditë realizoi edhe tre fluturime të tjera.
Pas ngjarjes, operatori rishikoi procedurat e sigurisë dhe u dha ekuipazheve udhëzime të reja për të shmangur përsëritjen e rasteve të ngjashme. Edhe Wizz Air deklaroi se siguria mbetet prioriteti kryesor i kompanisë dhe se rasti është analizuar në detaje së bashku me operatorin e fluturimit.
