Irani e zhvilloi një ceremoni madhështore mortore, e cila zgjati një javë, për udhëheqësin suprem, ajatollah Ali Khamenei, i cili u vra në fillim të luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Ngjarjet publike, të organizuara nga shteti, mblodhën qindra mijëra njerëz në mbarë Republikën Islamike. Megjithatë, një njeri ra në sy për mungesën e tij: Mojtaba Khamenei.
Djali dhe pasuesi i udhëheqësit shumëvjeçar të Iranit nuk u shfaq gjatë gjithë ceremonive mortore dhe tubimeve përkujtimore që përfunduan më 9 korrik.
Thuhet se Mojtaba Khamenei u plagos në të njëjtin sulm ajror izraelit që vrau të atin, dhe ai nuk është parë në publik qëkurse e mori detyrën si pasues në muajin mars.
Sipas ekspertëve, legjitimiteti i Mojtaba Khameneit ka pësuar një tjetër goditje nga mosprania e tij publike, e cila gjithashtu ka nxitur pyetjet se kush e drejton në të vërtetë këtë vend të Lindjes së Mesme me rreth 90 milionë banorë.
Sipas autoriteteve, ai nuk mori pjesë në varrimin e të atit për arsye sigurie.
“Mungesa e tij ka rëndësi politike, sepse nxjerr në pah dilemën qendrore të trashëgimisë së pushtetit. Mojtaba mund ta trashëgojë postin, por jo autoritetin e të atit,” tha Alex Vatanka, drejtor i Programit për Iranin në Institutin e Lindjes së Mesme me seli në Uashington.
Mojtaba Khamenei ishte zgjedhje e kontestueshme për postin e udhëheqësit suprem. Derisa përzgjedhja e tij përfaqësonte vazhdimësi në kohë lufte, ajo zemëroi mbështetës të qeverisë, të cilët argumentonin se trashëgimia familjare e pushtetit binte ndesh me rrënjët antimonarkiste të Revolucionit Islamik të vitit 1979.
“Mbajtja e tij larg syrit të publikut mund t’i shmangë këto akuza, por gjithashtu e lë procesin e transferimit të legjitimitetit dukshëm të papërfunduar”, shtoi Vatanka, autor i librit “Beteja e Ajatollahëve në Iran”.
“Regjimi mund të organizojë me kujdes vazhdimësinë institucionale, por nuk mund të krijojë autoritet personal brenda natës”, shtoi ai.
Për shumë iranianë, Mojtaba Khamenei mbetet figurë enigmatike. Megjithëse 56-vjeçari ka bërë deklarata me shkrim, deri më sot nuk është publikuar asnjë fotografi, video apo regjistrim zanor i tij.
Farzan Sabet, ekspert për Iranin në Institutin Universitar të Gjenevës, tha se legjitimiteti në Republikën Islamike – ashtu si edhe në regjimet e tjera autoritare – ka rëndësi kryesisht për bazën mbështetëse të sistemit.
“Për shumicën e iranianëve, Mojtaba ka të ngjarë të ketë edhe më pak legjitimitet se i ati dhe të perceptohet si më i dobët. Megjithatë, ai mund ta konsolidojë autoritetin e tij mes mbështetësve kryesorë të regjimit, veçanërisht nëse bëhet më i dukshëm pasi të shërohet nga plagët ose kur gjendja e sigurisë ta lejojë”, tha Sabet. “Pra, në fund të fundit, kjo është një pengesë që mund të kapërcehet”.
Ndryshimi i dinamikës së pushtetit
Për dekada me radhë, pushteti në Iran ishte i përqendruar në duart e Ali Khameneit, i cili kishte fjalën e fundit për të gjitha çështjet e rëndësishme shtetërore dhe e drejtoi vendin me dorë të hekurt nga viti 1989 deri kur u vra më 28 shkurt.
Por, që nga vrasja e tij dhe marrja e detyrës nga Mojtaba Khamenei, mënyra e marrjes së vendimeve në Teheran ka ndryshuar.
“Irani nuk e ka zëvendësuar udhëheqësin suprem me një udhëheqje kolektive, por Ali Khamenei kaloi dekada duke ndërtuar institucione të afta për të qeverisur paralelisht me udhëheqësin”, tha Vatanka.
Sipas tij, Zyra e Udhëheqësit Suprem, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare, organi kryesor vendimmarrës për politikat shtetërore, “tani ndajnë barrën e përditshme të vendimmarrjes, ndërsa udhëheqësi suprem gjithnjë e më shumë luan rolin e arbitrit, në vend që ta drejtojë personalisht çdo çështje madhore”.
Pavarësisht mungesës së tij në jetën publike, sipas inteligjencës amerikane, Mojtaba Khamenei vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në strategjinë e luftës dhe në menaxhimin e bisedimeve të paqes me Shtetet e Bashkuara.
Ekspertët thonë se IRGC-ja, dega elitare e forcave të armatosura iraniane, ka luajtur gjithmonë rol kyç në politikë, por tani është bërë forca dominuese politike në Republikën Islamike.
Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare, nën drejtimin e Mohammad Baqer Zolqadr, ish-komandant i IRGC-së, mbetet gjithashtu institucion me ndikim.
Figura të larta civile, si presidenti Masud Pezeshkian, ministri i Jashtëm Abbas Araqchi dhe Mohammad Bagher Qalibaf, kryetar i parlamentit dhe negociatori kryesor me Shtetet e Bashkuara, luajnë gjithashtu rol në procesin e vendimmarrjes, sipas ekspertëve.
“IRGC-ja ishte aktori më i fuqishëm në shtet kur Ali Khamenei ishte gjallë dhe mbetet aktori më i fuqishëm edhe sot, madje me më pak kufizime brenda sistemit dhe nga vetë sistemi në mungesë të tij”, tha Sabet.
“Megjithatë, duket se ende po bëhen përpjekje për të ndërtuar konsensus mes aktorëve kryesorë të sistemit, ku IRGC-ja luan rol shumë më të madh se të tjerët”, shtoi ai.
Si rrjedhojë, thonë ekspertët, vendimet po merren gjithnjë e më shumë përmes marrëveshjeve institucionale dhe jo përmes autoritetit personal të një njeriu të vetëm.
“Kjo e bën procesin e hartimit të politikave më të ngadaltë dhe më të kujdesshëm, por edhe më të qëndrueshëm, sepse përgjegjësia shpërndahet në gjithë sistemin dhe nuk mbështetet vetëm mbi udhëheqësin suprem”, përfundoi Vatanka.
