Të fundit

Investimet e huaja në Ballkan kërkojnë më shumë kapital e krijojnë më pak vende pune, Kosova shënon ngadalësim

Investimet e huaja në Ballkanin Perëndimor po bëhen gjithnjë e më intensive në kapital, ndërsa për çdo shumë të investuar po gjenerohen më pak vende pune se më parë.

Banka Botërore në raportin e fundit Rajonal vuri në dukje se investimet e huaja direkte për çdo vend pune janë rritur në pjesën më të madhe të vendeve të rajonit gjatë periudhës 2021–2025, krahasuar me vitet 2016–2020. Treguesi mat raportin ndërmjet vlerës së investimit dhe numrit të vendeve të punës që krijohen. Rritja e tij do të thotë se projektet e reja kërkojnë më shumë kapital për çdo vend pune të hapur, duke sinjalizuar një zhvendosje drejt investimeve më të mëdha, më të kushtueshme dhe më pak intensive në punësim.

Shuma e investuar për një vend pune pas pandemisë shënoi rritjen më të fortë në Shqipëri me mbi 300% në krahasim me periudhën 2016-2020, ndërsa Serbia u rendit e dyta, me rreth 190%. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut shënuan rritje më të moderuara, në intervalin rreth 80–90%.

Në Bosnjë-Hercegovinë, shpenzimi kapital për vend pune mbeti pothuajse i pandryshuar, duke treguar se struktura e projekteve të investimeve nuk ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me periudhën e mëparshme. Kosova paraqiti një ecuri të ndryshme, pasi në periudhën 2021–2025 investimet e huaja për një vend pune u ngadalësuan.

Madhësia e projekteve të investimeve u rrit në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor ndërmjet viteve 2010 dhe 2025, me përjashtim të Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi.

Rritja u bë më e dukshme në Shqipëri pas vitit 2020, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë kishte nisur që prej vitit 2018. Në vlerë absolute, projektet më të mëdha u regjistruan në Mal të Zi, e ndjekur nga Serbia.

Kjo prirje tregon se investimet e huaja po orientohen më shumë drejt projekteve që kërkojnë shuma të mëdha për ndërtesa, pajisje, teknologji dhe infrastrukturë, por që nuk po krijojnë një numër të lartë vendesh pune. Për rrjedhojë kapitali i investuar po rritet më shpejt se punësimi i gjeneruar prej tij.

Rritja e shpenzimeve kapitale për vend pune mund të ketë edhe efekte pozitive, nëse lidhet me teknologji më të avancuar, automatizim dhe rritje të produktivitetit. Por në rastin e vendeve të Ballkanit treguesi nuk provon se projektet janë më produktive apo se po krijojnë vende pune më cilësore. Investimet në sektorin e energjisë sidomos parqet fotovoltaike, prodhim energjie apo në pasuri të paluajtshme, gjenerojnë kapital por jo punësim.

Video nga Paradoks

VV SHOW - Dhuna verbale, a po e shtyn Vetevendosje një konflikt të madh shoqëror

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci