Netflix ka njoftuar detaje të reja për filmin e ardhshëm të animuar, “Steps”. Daniel Radcliffe do të jetë zëri i princit në këtë projekt. Kastit i janë bashkuar gjithashtu Young Mazino, i cili do të interpretojë rolin e Gef, të njohur si “The Heartthrob”, dhe Peter Dinklage, i cili do të sjellë zërin e Roderick, të përshkruar si “The Muscle”.
Filmi, i cili drejtohet nga Alyce Tzue dhe John Ripa, sjell një këndvështrim ndryshe mbi historinë e motrave të Cindërelës. Ngjarja ndjek Lilith, të cilën e interpreton Ali Wong, e cila akuzohet për shkaktimin e rrëmujës në Balin Mbretëror me një shkop magjik të vjedhur.
Për të shpëtuar mbretërinë dhe për të rregulluar rrjedhën e përrallës, Lilith duhet të bashkëpunojë me Cindërelën, të cilën e dublon Amanda Seyfried, si dhe me një troll. Në këtë ansambël aktorësh bën pjesë edhe Bette Midler, e cila do të japë zërin për zanën e mirë.
John Ripa u shpreh se qëllimi i tyre ishte krijimi i një princi të ndryshëm nga ata që janë parë më parë. Nga ana tjetër, Alyce Tzue e përshkroi Peter Dinklage si një talent të jashtëzakonshëm, duke theksuar se ai arrin të balancojë frikshmërinë dhe dashurinë në rolin e Roderick.
Tzue shpjegoi se filmi trajton historinë e dy motrave shumë të ndryshme, të cilat kuptojnë se kanë më shumë ngjashmëri sesa dallime. Regjisorja shtoi se historia është personale për të, pasi synon të krijojë një film për të gjithë ata që ndonjëherë janë ndjerë sikur nuk i përkasin një ambienti të caktuar.
“Steps” pritet të publikohet nga Netflix më vonë gjatë këtij viti. Filmi synon të tregojë se edhe personazhet që shpesh etiketohen si “keqbërës” mund të kenë vendin e tyre në një fund të lumtur.
Burimi: variety.com
