Trump Media & Technology Group, kompania që zotëron platformën Truth Social, ka njoftuar se nga 1 gushti do të nisë një shërbim të paguar për firmat e Wall Street-it. Ky shërbim do të ofrojë qasje me shpejtësi të lartë në postimet e llogarive me ndikim më të madh në platformë.
Aktualisht, Donald Trump është përdoruesi me më shumë ndjekës në këtë platformë. Kompania shpreson se ky shërbim do të krijojë një burim të qëndrueshëm të ardhurash për firmën, e cila aktualisht operon me humbje.
Kevin McGurn, drejtori i përkohshëm i Trump Media, deklaroi se tregjet tashmë lëvizin si pasojë e postimeve në Truth Social dhe se shërbimi do të sigurojë fitime. Kompania nuk ka bërë të ditur çmimin e këtij shërbimi.
Trump Media ka njoftuar se do të bllokojë metodat e paligjshme të kopjimit të të dhënave që disa firma i kanë përdorur prej muajsh, duke i detyruar ato të blejnë feed-in zyrtar. Meqenëse familja e Trump-it mbetet aksionari kryesor i kompanisë, presidenti mund të përfitojë financiarisht nga shitja e qasjes së përshpejtuar në deklaratat e tij publike.
BBC ka kërkuar koment nga Trump Media nëse postimet e presidentit do të përfshihen në këtë shërbim, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka refuzuar të komentojë. Mark Spiegel, ekspert investimesh, vlerësoi se përfshirja e postimeve të presidentit do të ishte një veprim i paprecedentë. Megjithatë, ai shtoi se postimet e Trump-it përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të faktorëve që ndikojnë në lëvizjet e tregut.
Robert Frenchman, partner në firmën ligjore Dynamis, deklaroi për Reuters se ndonëse kjo praktikë mund të mos duket e drejtë, një platformë teknologjike mund të ndajë shpërndarjen e informacionit në nivele të ndryshme pa shkelur ligjet federale të letrave me vlerë.
Burimi: bbc.com
