Shumë qytetarë në Japoni shmangin blerjen ose marrjen me qira të banesave ku ka ndodhur një vdekje e papritur ose e dhunshme. Këto prona, të njohura si "jiko bukken" ose "prona të stigmatizuara", shpesh mbeten bosh për vite të tëra, pasi vdekja në kulturën japoneze shpesh ndërlidhet me papastërtinë dhe fatkeqësinë.
Një shtëpi dykatëshe në periferi të Yokohamës shërben si shembull i këtij fenomeni. Megjithëse prona mund të rinovohet për t'u bërë e banueshme, ajo ka qëndruar bosh për të paktën pesë vjet. Shkaku i shmangies mund të jetë një vetëvrasje, një zjarr fatal, vdekja e një personi të vetmuar ose vrasje.
Që nga dhjetori i vitit 2022, kompania e tij ofron shërbime për pronarët e këtyre banesave. Pjesë e shërbimit është një "hetim për fantazma", ku stafi qëndron në ambientet e banesës nga ora 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit, duke përdorur pajisje për matjen e temperaturës, lagështisë, presionit atmosferik dhe zhurmave.
Ky shërbim kushton 88,000 jen (rreth 474 euro) dhe përfundon me një raport të detajuar që agjentët e pasurive të patundshme mund ta përdorin për të argumentuar se në pronë nuk ka "shpirtra të këqij". Kodama thekson se kërkesa për këto hetime po rritet, ndonëse në shumicën e rasteve fenomenet e raportuara nuk mund të përsëriten.
Në qytetet me kërkesë të lartë, pronarët shpesh detyrohen të ulin qiranë me 30%, ndërsa në zona të tjera ulja mund të arrijë deri në 50%. Disa prona mbeten të pabanuara për më shumë se 1,000 ditë.
Sipas një sondazhi qeveritar të fundvitit 2024, në Japoni janë regjistruar 9 milionë shtëpi të zbrazëta, që përbëjnë 13.8% të totalit të banesave. Përveç faktorëve të tjerë, besëtytnitë lidhur me vdekjen dhe afërsia me varrezat vazhdojnë të ndikojnë në vështirësitë e tregut të pasurive të patundshme në vend.
Burimi: dw.com
