Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për qasjen e saj ndaj Komunës së Prishtinës, duke thënë se partia në pushtet po pengon projektet e kryeqytetit dhe se aksioni i fundit për dërgimin në gjykatë të vendimit për rritjen e çmimit të biletave të autobusit dëshmon mungesën e alternativës së saj politike.
Në një postim në Facebook, Sadiku kujtoi periudhën kur Vetëvendosje udhëhoqi Prishtinën, duke e cilësuar atë si qeverisjen më të dobët që ka pasur ndonjëherë kryeqyteti.
“Vetëvendosje e ka udhëhequr Prishtinën për dy mandate. Albin Kurti ka kërkuar votën për Prishtinën dy herë dhe qytetarët ia kanë dhënë mundësinë. Ajo ka qenë qeverisja më e keqe që ka pasur ndonjëherë një komunë në Kosovë. Aq e keqe, sa pas gjashtë vitesh, sa ishin në pushtet, u ndanë mes vete dhe u bënë copë e grimë. Besoj jo për ideale apo për qytetarin, por për interesa”, ka shkruar Sadiku.
Ai pretendoi se qytetarët e Prishtinës nuk do t’i japin më mundësi Vetëvendosjes për të qeverisur kryeqytetin, ndërsa shtoi se, sipas tij, Qeveria po pengon projektet komunale.
“Qytetari i Prishtinës nuk i jep më shans kësaj partie ta shkatërrojë kryeqytetin. Por prej gjashtë vitesh po përpiqen ta bëjnë këtë përmes qeverisë, duke bllokuar çdo nismë dhe projekt në Prishtinë, sa herë që kanë mundësi”, u shpreh ai.
Sadiku tha se Prishtina ka probleme reale, të cilat, sipas tij, duhet të jenë fokusi i institucioneve lokale.
“Po, Prishtina ka probleme. Edhe unë, si anëtar i LDK-së, i kam ankesat e mia, të cilat ua adresoj çdo ditë asamblistëve dhe drejtorëve komunalë. Çdo ditë u shkruaj për problemet e qytetarëve: qentë endacakë, rrugët e dëmtuara, ndriçimin e pamjaftueshëm, kushtet në QKMF dhe në shkolla. Këto janë problemet me të cilat duhet të merremi çdo ditë”, shkroi ai.
Duke iu referuar kritikave të Vetëvendosjes ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, Sadiku tha se ato kanë qenë të pabazuara.
“Sulmet ndaj kryetarit të Prishtinës nuk janë ndalur asnjëherë. E kanë lidhur me drogë, SHIK-un, korrupsionin e çfarë jo. Si zakonisht, te popullistët këto mbeten vetëm fjalë”, deklaroi ai.
Sadiku ironizoi iniciativën e Vetëvendosjes për ta dërguar në gjykatë vendimin për rritjen e çmimit të biletave të autobusëve.
“Megjithatë, këtë javë VV-ja qenka mobilizuar dhe qenka ngritur në këmbë. Paska punuar shumë dhe, më në fund, paska ndërmarrë një aksion ‘të madh’ kundër Komunës: e ka dërguar në gjykatë vendimin për rritjen e çmimit të biletave të autobusit. Paramendoni çfarë opozite në kryeqytet. ‘Klani’, ‘droga’, ‘SHIK-u’, ‘Sami Lushtaku’… në fund gjithçka u reduktua te çmimi i biletës së autobusit. Hajde, ishalla e fitoni këtë lëndë. Amatera qesharakë”, shtoi Sadiku.
