Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin kishte refuzuar kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hudhje të aktakuzës në rastin ku Faruk Mujka- kryeshef ekzekutiv në Ndërmarrjen Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc” dhe Hysen Muzliukaj- ish-drejtor për Gjeodezi në Mitrovicë, akuzohen për korrupsion.
Sipas aktakuzës, Mujka në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, ndërsa Muzliukaj në cilësinë e Drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në atë komunë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private. Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit nuk i deklaroi 60 mijë e 50 eurot që iu sekuestruan në shtëpi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“REFUZOHEN si të pabazuara ankesat e paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarëve Faruk Mujka, avokati Xhafer Tahiri dhe Hysen Muzliukaj, avokati Ahmet Tahiri, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, i datës 16.12.2025, VËRETOHET”, thuhet në vendimin e Apelit.
Kundër aktvendimit të shkallës së parë për konfirmim të aktakuzës, kishin paraqitur ankesë mbrojtësit e të akuzuarëve Mujka dhe Muzliukaj, avokatët Xhafer Tahiri dhe Ahmet Tahiri, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave ligjore si dhe shkeljeve të dispozitave të Ligjit Penal.
Mbrojtja i kishte propozuar Gjykatës së Apelit që të aprovojë si të bazuara ankesat dhe t’i shpall provat e papranueshme dhe të hudh aktakuzën, si dhe ta pushojë procedurën penale ndaj të akuzuarve.
Ndërsa, Prokuroria e Apelit kishte propozuar që të refuzohen si të pabazuara ankesat e paraqitura nga mbrojtja dhe aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.
Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore nuk janë të bazuara, pasi që gjykata e shkallës së parë ka shqyrtuar në mënyrë të mjaftueshme dhe të drejtë pretendimet e paraqitura në kundërshtimet ndaj aktakuzës dhe kërkesat për hudhje të saj, duke dhënë arsye të qarta dhe juridikisht të qëndrueshme se aktakuza e ngritur nga PSRK-ja, përmban prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen si në aktakuzë.
Tutje, në vendimin e Apelit thuhet se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtjtes përkitazi me veprat penale për të cilat ngarkohen të akuzuarit, dhe në këtë fazë të procedurës penale të njëjtat janë të pabazuara, pasi që të gjitha këto pretendime do të vlerësohen në shqyrtimin gjyqësor pas administrimit të provave, ku edhe do të vërtetohet fajësia apo pafajësia e të akuzuarëve.
Sipas Apelit, pretendimet e mbrojtjes se gjykata e shkallës sëparë ka tejkaluar kompetencat e saj procedurale dhe ka paragjykuar çështjen, duke konstatuar ekzistencën e elementeve të veprës penale dhe përgjegjësinë e tëa kuzuarëve, nuk qëndrojnë.
Apeli thekson se nga analiza e tërësisë së arsyetimit të vendimit, rezulton se gjykata e shkallës së parë nuk ka nxjerrë vendim përfundimtar mbi fajësinë e të akuzuarve, por ka bërë vetëm një vlerësim paraprak të provave në funksion të ekzistimit të dyshimit të bazuar mirë, si kusht për vazhdimin e procedurës penale.
Në fund të vendimit, thuhet se kolegji i Apelit ka konstatuar se arsyetimi i gjykatës së shkallës së parë nuk përbën paragjykim të rezultatit përfundimtar të procedurës penale, pasi vlerësimi përfundimtar i provave dhe konstatimi i fajësisë apo pafajësisë mund të bëhet vetëm me aktgjykim të formës së prerë, pas administrimit dhe vlerësimit të drejtpërdrejtë të të gjitha provave në shqyrtimin gjyqësor.
Vendimi i Apelit rezulton të jetë marrë më 20 shkurt 2026, nga kolegji i përbërë prej Albina Shabani-Ramës si kryetare e kolegjit, si dhe Valon Kurtaj dhe Vaton Durguti- anëtarë.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 dhjetor 2025 kishte marrë aktvendim me të cilin kishte refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave lidhur me akuzat që iu vihen në barrë të akuzuarve.
Themelorja pas shqyrtimit të pretendimeve të mbrojtësve ka gjetur se kërkesat e tyre janë të pabazuara pasi që aktakuza është ngritur në pajtim me ligjin dhe ka prova të mjaftueshme që e mbështesin aktakuzën sa i përket veprave penale me të cilat ngarkohen të akuzuarit.
Gjithashtu, në vendimin e Themelores thuhet se në këtë çështje penale nuk ekzisotjnë rrethnaa të cilat e përjashtojnë përgjegjësinë penale të të akuzuarve, nuk ka arritur parashkrimi i ndjekes penale, amnisti apo falje, dhe se ekzistojnë prova të mjaftueshme të cilat vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë.
Dy të akuzuarit, në seancën fillestare më 20 tetor 2025, ishin deklaruar të pafajshëm.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 9 shtator 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Mujka ngarkohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, Mujka në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, ndërsa Muzliukaj në cilësinë e Drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në atë komunë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private. Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit nuk i deklaroi 60 mijë e 50 eurot që iu sekuestruan në shtëpi.
Çka thuhet në pikë e parë të aktakuzës?
Sipas aktakuzës, Mujka në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës dhe Hysen Muzliukaj në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kishin tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personat e tretë dhe në dëm të pronës publike.
Fillimisht, thuhet se Mujka më 25 prill 2021, duke vepruar në emër të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe Muzliukaj në pozitën e Drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, i paraqesin Kuvendit Komunal propozim-vendimin për këmbim të pronës së paluajtshme me lokacion në rrugën “Afrim Zhitia” në Mitrovicë (ndërtesë e ish-Bankosit).
Në aktakuzë thuhet se sipërfaqja e palujatshmërisë ishte 139 metra katror nga sipërfaqja e përgjithshme prej 631 metra katror, të cilën e kishin paraqitur kinse si pronë të Komunës, për këmbim me parcelën me sipërfaqe të përgjithshme prej 102 metra katror në pronësi të personit fizik Besarta Isufi në rrugën “Ali Zeneli” në Mitrovicë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Mujka dhe Muzliukaj e kishin ditur se prona e tillë nuk ishte pronë komunale dhe se ekziston proces gjyqësor me padi të iniciuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe Ndërmarrja Shoqërore “Jugobanka” në Mitrovicë, dhe duke qenë në dijeni se Kuvendi Komunal i Mitrovicës kishte marrë dy herë vendim për shpallje me interes të posaçëm publik të objektit të ish-Bankosit ku ndodhej prona në fjalë, më 30 gusht 2012 dhe 23 shkurt 2017, në bazë të së cilit ishte kërkuar nga Bordi i AKP-së që lidhur me pronën e ish-Bankosit t’iu bartej e drejta e shfytëzimit meqenëse prona nuk ishte në pronësi të Komunës.
Aktakuza thotë se dy të akuzuarit kishin vepruar në dëm të interesi publik dhe në kundërshtim me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës dhe Rregullores për përcaktimin e procedurave për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së Komunës. E që në bazë të këtyre, sipas aktakuzës, ndalohet dhënia në shfrytëzim dhe këmbim i pronës me pronë private.
Kështu, dy të pandehurit ngarkohen se i shkaktuan dëm të konsiderueshëm APK-së, në vlerën e objektit të tjetërsuar/këmbyer, që ishte llogaritur të jetë 125 mijë e 100 euro.
Andaj për këto veprime, Mujka dhe Muzliukaj po ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar” e paraparë me nenin 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Për çka akuzohet në pikën e dytë të aktakuzës Mujka?
Në aktakuzë thuhet se Faruk Mujka në cilësi të kryeshefit ekzekutiv të “Ibër-Lepencit”, i cili sipas Ligjit aktual për deklarim, prejardhje dhe kontroll të pasurisë dhe dhuratave ishte i detyruar të bënte deklarimin e pasurisë, nuk i ka paraqitur të dhënat e kërkuara në deklaratë, pasi nga data e pavërtetuar e deri më 15 korrik 2023, në shtëpinë e tij kishte poseduar shumën prej 60 mijë e 50 euro, shumë kjo e gjetur dhe sekuestruar gjatë zbatimit të urdhërkontrollit të Gjykatës në shtëpinë e tij në Mitrovicë.
Këtë shumë, sipas aktakuzës, Mujka nuk e kishte paraqitur në formularin për deklarimin e pasurisë së vitit paraprak në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit edhe pse ishte i obliguar sipas ligjit dhe se e ka ditur se në deklaratë duhet të paraqiten edhe shumat kesh.
Andaj për këto veprime, Mujka po ngarkohet me veprën penale “Mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 2 i Kodit Penal.
