Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka bërë thirrje publike BIRN Kosovës, KALLXO.com, Internews Kosovës dhe drejtoreshës së BIRN-it, Jeta Xharra, që të sqarojnë lidhjen me profilin “Lule Gjeli”, duke paralajmëruar se në të kundërtën Kryeqyteti do të rishqyrtojë bashkëpunimin institucional me këtë organizatë.
Përmes një postimi në Facebook, Rama tha se publikimi i një analize nga profili “Lule Gjeli” në KALLXO.com është një “alarm i frikshëm për shkelje të rëndë të standardeve etike dhe ligjore”, që sipas tij ngre “pikëpyetje serioze që meritojnë përgjigje të qarta dhe publike”.
Në emër të transparencës dhe llogaridhënies publike, ai kërkoi nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Internews Kosova dhe Jeta Xharra që të japin përgjigje për disa çështje, përfshirë identitetin e autorit të profilit “Lule Gjeli”, natyrën e bashkëpunimit me të, periudhën e angazhimit, mënyrën e financimit, si dhe nëse ka pasur përfshirje të politikanëve në diskutimet gjatë publikimit të opinioneve.
Rama kërkoi gjithashtu që këto organizata të sqarojnë nëse do t’u kërkojnë falje personave që, sipas tij, janë dëmtuar nga aktiviteti i profilit “Lule Gjeli”.
“Unë pres reagim dhe sqarim publik më së largu deri të hënën. Deri atëherë, dhe derisa këto çështje të jenë sqaruar plotësisht, në mënyrë transparente dhe bindëse, Kryeqyteti do të rishqyrtojë çdo formë të bashkëpunimit dhe mbështetjes institucionale me BIRN Kosovën”, ka shkruar ai.
Kryetari i Prishtinës paralajmëroi se, nëse sqarimet “nuk i përmbushin standardet e transparencës që qytetarët meritojnë”, do të kërkojë “ndërprerjen e çdo bashkëpunimi institucional me BIRN Kosovën”.
Në fund, Rama theksoi se institucionet publike kanë detyrim të mbrojnë interesin publik dhe besimin e qytetarëve.
“Paraja publike dhe hapësirat publike u përkasin qytetarëve. Ato administrohen ekskluzivisht në funksion të interesit të tyre dhe nuk mund të vihen në dispozicion të askujt derisa të jenë adresuar dhe sqaruar plotësisht çështjet që cenojnë besimin publik”, ka deklaruar Rama.
