“Ne dimë gjithçka, bukvalisht dimë gjithçka, por kryesori hesht. Tri herë tha se do të na thërriste dhe nuk e bëri. Kam thënë të shkojmë të gjithë para Qeverisë, se nuk do të na kthejnë mbrapsht… Do të ulemi, do të marrim një batanije dhe aty mbaron historia. Por kjo nuk ndodhi. Mendoj se tashmë dihet gjithçka, vetëm se të gjithë heshtin”.
Me këto fjalë, për portalin Nova.rs, e nis rrëfimin e saj Lubica Trifoviq, nëna e Dragan Trifoviqit, të riut të vrarë në vitin 1998 në kafenenë “Panda” në Pejë. Ajo thekson se, për hir të shpirtit të fëmijëve të tyre, është e domosdoshme të zbulohet e vërteta e plotë dhe të sqarohen të gjitha rrethanat e krimit, transmeton Paparaci.
Familja Trifoviq nuk do ta marrë kurrë veten nga tragjedia që e goditi. Nëna e pikëlluar thotë se dëshiron vetëm që më në fund të bëhet e ditur e gjithë e vërteta për vdekjen e fëmijëve të tyre.
“Në fund të fundit, do ta padis shtetin. Do ta bëj këtë. Por le ta thonë të vërtetën. E di se është turp për ta të thonë publikisht. Vuçiqi ka deklaruar se opinioni do të tronditet kur ta mësojë të vërtetën. Kush i vrau fëmijët? Ne këtë në Pejë e dinim prej kohësh, prandaj nuk flisnin për të. Nuk ka rëndësi kush e kreu aktin, por kush e dha urdhrin”, thotë Lubica, nëna e Draganit të vrarë.
Ajo shton se tani i dhemb më së shumti fakti që përgjegjësia hidhet nga njëra palë te tjetra, duke përmendur deklarata sipas të cilave autorët përmenden herë si nga Mali i Zi e herë nga Serbia.
Ajo thotë gjithashtu se beson se pretendimet që janë shfaqur së fundmi në rrjetet sociale janë të sakta.
“Jemi të gjithë një popull. Aleksandar Vuçiqi, si president, meqë thotë se di gjithçka, le t’ua thotë publikisht qytetarëve. Është e vështirë të thuhet se ata fëmijë i vranë serbët. Po kush tjetër? Ne këtë e dimë prej kohësh. Do të doja vetëm të bisedoja me të”, ka thënë ajo, dhe ka shtuar:
“Ai e ndien dhimbjen sepse djalit të tij tentuan t’ia hiqnin fanellën në Mitrovicë. Le të vijë si president në Pejë, le ta vizitojë Dukagjinin, ku kemi jetuar ne. Le të shkojë në varreza, t’i vizitojë ato, le të shkojë në Deçan e Gjakovë. A është kjo Kosova jote? Atëherë eja”.
Sipas saj, drejtuesit aktualë do ta humbasin pushtetin përpara se ta bëjnë publike të vërtetën për atë që ndodhi në “Panda”.
“I kuptoj edhe prindërit e tjerë. Por hajde ta sqarojmë më në fund këtë çështje. Po të mos kishte ndodhur “Panda”, nuk do të kishte ndodhur as Reçaku. Këtë e dimë të gjithë. Për shkak të “Pandës” u shpall Reçaku. Atje poshtë mbretëronte kaosi. Askush që nuk ka jetuar atje nuk mund ta kuptojë këtë”.
Ajo thotë se ishte ndër të parat që deklaroi se fëmijët e tyre nuk ishin vrarë nga shqiptarët dhe se e vërteta, sipas saj, ishte e qartë që në fillim, transmeton Paparaci.
“Kam thënë se nuk i vranë shqiptarët, ndërsa shumë më thanë: “Si mund ta thuash këtë si nënë?” Pas çdo vrasjeje ku nuk ka prova dhe ku për vite nuk publikohet asgjë, dihet kush qëndron pas saj. Ja, Oliver Ivanoviqi. Kush e vrau atë? Dihet kush e vrau, por pse heshtin? Pse heshtin për Banjskën? Nuk mund të thuash: “Kosova është e jona”, ndërkohë që në Kosovë nuk guxon të shkojë as patriarku. Atëherë për çfarë të flasim më?”
Ajo kujton se i kishte kërkuar edhe ministres Snezhana Paunoviq, e cila është me origjinë nga Peja, të angazhohej për këtë çështje, por, sipas saj, as nga kjo nuk pati rezultat.
“Prandaj them se Shërbimi i Sigurimit të Shtetit dhe shteti i Serbisë i vranë këta fëmijë. Pikë. Le të më dënojnë, le të më vënë në turrën e druve. Çfarë do të thoshte e vërteta? Për prindërit? Ne e dimë. Për ne nuk do të ishte asgjë e re. Por do të ishte drejtësi për këta fëmijë. Mendoj se kjo duhet bërë për të gjithë prindërit, që një herë të jemi të sinqertë. Nëse je president dhe thua të vërtetën… Tri herë, kur u pyet nëse do t’i priste prindërit e fëmijëve të vrarë, u përgjigj: Po. Por kur? Askush nuk na thirri. Më telefonuan vetëm nga kabineti i Aleksandar Vuçiqit për shkak të votimeve. U thashë: “Do të votoj për të, por mendova se po më telefononit për “Pandën”, që Vuçiqi të tregojë kush i vrau fëmijët. Mendova se ishte për këtë. Ju më telefononi për votime? Si nuk ju vjen turp?”
Ajo thekson se për të gjithë prindërit do të kishte rëndësi të veçantë që e vërteta të zbulohej dhe që informacionet të mos fshiheshin më, përcjell Paparaci.
“E di çfarë do të thoshte kjo për shtetin e Serbisë. A e dini çfarë do të thotë të shpallet kush i vrau gjashtë të rinjtë? Por një herë duhet të qëndrojmë në anën e së vërtetës. Ajo është e ngadaltë, por e arritshme. Është si uji; uji gjithmonë e gjen rrugën”, dhe ka shtuar:
“Pyetja më e rëndësishme është: kush e dha urdhrin? Ky është thelbi. Kush e urdhëroi?”
Sipas saj, fakti që pas ngjarjes policia në Pejë nuk u deklarua për 40 ditë është një tregues se pas gjithçkaje qëndronte Sigurimi i Shtetit.
“Prindërit kërkojnë vetëm drejtësi dhe që të mos heshtet më, që pas 28 vitesh të mësohet e vërteta. Lazo Obradoviqi është i sëmurë me kancer, gruaja i ka vdekur, Stanojeviqi ka vdekur. A do t’ua lëmë këtë fëmijëve tanë që ta hetojnë ata? Çfarë po pritet? Kam thënë se do të shkoj vetë në Beograd dhe do të qëndroj para Qeverisë, le të më largojnë. Ne qëndrojmë pas bindjes sonë se Sigurimi i Shtetit, pra shteti i Serbisë, i vrau fëmijët tanë”.
Ajo thotë se është e gatshme për gjithçka dhe se nuk i frikësohet askujt, por se drejtuesit e shtetit duhet të kenë turp për shkak të shpirtrave të të rinjve të vrarë dhe tragjedisë në kafenenë “Panda”.
“Djalin nuk e kam zhvarrosur, ai ka mbetur në Pejë. As të tjerët nuk janë zhvarrosur. Nuk do ta zhvarros as unë. Tokë atje, tokë këtu. Ai ishte 17 vjeç e gjysmë kur u vra. Më i riu ishte vetëm 14 vjeç. Vetë Sllobodan Millosheviqi, kur ishte në Hagë, tha: “Është hedhur bombë”. Çfarë bombe? Ata u bënë shoshë nga më shumë se 50 plumba. Shteti i Serbisë i vrau fëmijët tanë. Aleksandar Vuçiqi e fsheh të vërtetën, ai në atë kohë ishte ministër i Informimit. Ai e di”.
Në fund, ajo thotë se nuk e di nëse zbulimi i së vërtetës do t’ua lehtësonte apo do t’ua rëndonte edhe më shumë dhimbjen.
“Ndoshta dikujt do t’i lehtësohej, dikujt do t’i rëndohej, por më e rëndësishmja është të dihet e vërteta. Në atë kohë në Pejë ishte ora policore. Shqiptarët nuk lejoheshin të dilnin. Fëmijët tanë mblidheshin, ndërsa ata që i vranë kishin kaluar më parë në disa kafene duke kërkuar viktima. Të gjitha ishin të zbrazëta, vetëm në “Panda” i gjetën. Atë mbrëmje, për herë të parë, kryetari i komunës së Pejës, Mille Ivanoviq, nuk kishte roje para shtëpisë së tij. Ndoshta ishte rastësi, ndoshta jo, nuk e di”, përfundon Lubica Trifoviq, nëna e Dragan Trifoviqit, të vrarë në masakrën në kafenenë “Panda” në Pejë./Paparaci.com
