Tregtarë të automjeteve Vushtrri dyshohen për manipulim me dokumente të veturave të importuara nga Koreja e Jugut, sipas një hetimi penal të cilin po e zhvillon Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Në kuadër të këtij hetimi, Policia dhe Dogana realizuan sot bastisje në shtëpinë e të pandehurve në Vushtrri, njoftoi Prokuroria në një komunikatë për media.
Hetimet kanë zbuluar se të dyshuarit kanë falsifikuar dokumentet e automjeteve të importuara nga Korea e Jugut në korrik të këtij viti. Dyshohet se kanë manipuluar të dhënat që lidhen me datën e regjistrimit të parë të automjeteve.
Disa persona dyshohen për këtë veprimtari, megjithatë në komunikatën e Prokurorisë nuk u bë i ditur numri i tyre.
“Sipas dyshimeve të deritanishme, me datë 06.07.2026, të pandehurit kanë përdorur dokumente të falsifikuara – librezat koreane të automjeteve duke manipuluar të dhënat që lidhen me datën e regjistrimit të parë të automjeteve, konkretisht, në dokumentet përkatëse është ndryshuar viti i regjistrimit të parë nga 2015 në 2016, me qëllim që automjetet të paraqiteshin si jo më të vjetra se dhjetë (10) vjet dhe, në këtë mënyrë, të mundësohej importimi i tyre në Republikën e Kosovës, në kundërshtim me nenin 44 paragrafi 2 të Ligjit Nr. 05/L-132 për Automjete”, tha Prokuroria në njoftim.
Dokumentet e dyshuara si të falsifikuara dyshohet se janë përdorur gjatë importimit dhe zhdoganimit të pesë automjeteve.
“Për secilin automjet janë lëshuar Deklarata Unike Doganore (DUD), në të cilat është evidentuar në mënyrë të pasaktë se regjistrimi i parë i automjeteve ishte bërë gjatë vitit 2016, ndonëse nga provat e siguruara deri më tani rezulton se regjistrimi i tyre i parë ishte bërë gjatë vitit 2015”, sipas hetimeve të Prokurorisë.
Pesë veturat të cilave dyshohet se u janë falsifikuar dokumentet janë sekuestruar.
Të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
[Shënim i redaksisë: Fotografia e ballinës është ilustrim]
