Qyteti i Duranit në Ekuador është kthyer në një nga zonat më të rrezikshme të vendit, ku bandat kriminale kanë marrë ndikim të madh dhe lufta kundër trafikut të drogës po përballet edhe me korrupsion brenda institucioneve.
Në një reportazh të BBC-së, kapiteni i policisë Jean Carlos Bustamante ka thënë se një pjesë e problemit lidhet me persona të korruptuar brenda shtetit që bashkëpunojnë me grupet kriminale.
Ekuadori është shndërruar në një pikë kyçe për trafikun e kokainës drejt Evropës dhe SHBA-së. Sipas raportimeve, bandat lokale bashkëpunojnë me kartele ndërkombëtare dhe grupe të krimit të organizuar, përfshirë edhe rrjete të lidhura me mafian shqiptare.
Dhuna në vend është rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa përpjekjet e presidentit Daniel Noboa për luftimin e bandave kanë sjellë edhe përçarjen e grupeve kriminale në organizata më të vogla dhe më agresive.
Policia thotë se përveç luftës me bandat, sfidë mbetet edhe korrupsioni, pasi disa persona të përfshirë në krim arrijnë të shmangin drejtësinë përmes ndikimit dhe ryshfeteve.
BBC raporton se bandat kanë zgjeruar ndikimin e tyre edhe te të rinjtë, me organizatat për të drejtat e njeriut që paralajmërojnë për rekrutimin e fëmijëve në aktivitetet kriminale.
