Thirrja e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nxitur përplasje publike mes disa zyrtarëve të kësaj partie, pak ditë para mbajtjes së mbledhjes ku pritet të diskutohet për zhvillimet e brendshme politike në subjekt.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm është caktuar të mbahet të enjten, më 30 korrik 2026, duke filluar nga ora 18:00.
Në prag të këtij takimi, zyrtari i LDK-së, Sokol Havolli, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke thënë se kjo ditë duhet t’i takojë vendimmarrjes së brendshme të partisë.
“Te enjten është dita ku LDK vendosë për LDK. E jo LDK të vendoset nën kontroll të satelitëve të PDK”, ka shkruar Havolli.
Ky reagim ka nxitur reagimin e Bajram Gecajt, po ashtu zyrtar i LDK-së, i cili i ka drejtuar një pyetje publike Havollit lidhur me deklaratën e tij.
“Pyetje publike për Sokol Havollin: A ta merr mendja se unë jam satelit i PDK?”, ka shkruar Gecaj.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së pritet të zhvillohet në përputhje me procedurat statutare të partisë. Nga LDK-ja kanë deklaruar se procesi do të udhëhiqet me transparencë dhe respektim të vullnetit të delegatëve.
