Kompania “AgroKosova” që nga sot nuk administrohet nga biznesmeni, Aziz Tafaj.
Objekti dhe të gjitha pronat iu kthyen shtetit me një vendim të disa ditëve më parë të Agjensisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Por, këtë veprim të AKP-së po e kundërshton akoma pronari i deritanishëm, Aziz Tafaj.
Ai në prononcim për Paparacin tha se të gjitha veprimet e AKP-së “janë të kundërligjshme”, si dhe aksionin policor e cilësoi “keqpërdorim të detyrës zyrtare” nga ana e policisë.
“Veprimet janë anti-ligjore pa vendime të autoriteteve”, ka thënë Tafaj për Paparacin.
“Është një spektakël” – biznesmeni Aziz Tafaj reagon pas ndërhyrjes policore
Tafaj po e quan uzurpim vendosjen e ndërmarrjes nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
“Kanë ndërmarrë veprime të veta uzurpim duke e keqpërdorur detyrën zyrtare”, u shpreh Tafaj.
Kësisoj, ai ka paralajmëruar se do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për të zgjidhur, siç e quan ai, “këtë keqkuptim”.
“I tërë potenciali është i angazhuar që përmes rrugëve ligjore këtë keqkuptim këtë keqpërdorim të detyrës zyrtarë të merren organet e shtetit”, tha biznesmeni Tafaj.
Bordi i drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ka marrë vendim për tërheqje të aksioneve dhe vendosje nën administrim të drejtpërdrejt të ndërmarrjes së re Agrokosova Holding (ish-Ndërmarrja Shoqërore “NBI Suhareka”).
Sipas AKP-së, “AgroKosova” dështoi të realizonte investimet e zotuara në ndërmarrjen e privatizuar nga shteti 14 vjet më parë.
I menjëhershëm ishte reagimi i AKP-së ku u bënë thirrje të gjitha kompanive bujqësore që kanë bashkëpunim me “AgroKosovën” dhe punëtorëve të kompanisë që të vijojnë punën normalisht.
NSH “NBI Suhareka/Agrokosova Holding” është privatizuar më 27 gusht 2007 nga blerësit “Gruppo Vinicolo Fantinel” dhe “QMI” përmes metodës së “spin off”-it special në valën e 19-të të shitjes në vlerë prej 4,175,999.00 euro. /Paparaci.com
