Pas pushimit prej më pak se dy muajsh, futbolli kosovar do të rikthehet këtë vikend me ndeshje interesante në kuadër të Kupës së Kosovës.
Të shtunën dhe të dielën do të zhvillohen ndeshjet e 1/8 të Kupës së Kosovës ku garojnë ekipet nga Superliga dhe Liga e Parë.
Shumica prej skuadrave kanë zhvilluar ndeshje përgatitore gjatë pushimit që të jenë sa më të përgatitur për stinorin pranveror.
Të shtunën, Gjilani e pret në shtëpi Dukagjinin, Ulpiana do të takohet me Arbërinë, Onix do të përballet me KEK-un dhe njëkohësisht do të zhvillohet derbi i kryeqytetit në ligën e parë mes 2 Korrikut dhe Ramiz Sadikut.
Të dielën do të jenë tre ndeshje tjera në të njëjtin orar, ndërsa ndeshja e fundit e kësaj faze do të zhvillohet të hënën.
Prishtina-Drenica, Ballkani-Malisheva dhe Fushë Kosova me Dritën, do të përballen të dielën, ndërsa të hënën do të zhvillohet ndeshja mes Ferizajit dhe Llapit.
Të gjitha ndeshjet do të luhen në orarin e njëjtë me fillim nga ora 13:00.
