Njëmbëdhjetë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje përfituan mbi pesë mijë euro në formë të kompensimit të karburanteve në dy muaj, ndonëse përfitojnë pagë shumëfish mbi mesataren në vend.
Për dy muaj, nëntor dhe dhjetor, deputetët Valon Ramadani, Adnan Rrustemi, Fjolla Ujkani, Gazmend Gjyshinca, Yllza Hoti, Artan Abrashi, Fatmire Kollçaku, Gramos Agusholli, Agon Batusha, Haxhi Avdyli, dhe Besim Muzaqi, përfituan 5 mijë e 80 euro.
Edhe pse në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër-Korrupsion ata kanë deklaruar pasurië të përbashkët në vlerë milionëshe, të njëjtit kanë pranuar mbulimin e shpenzimeve për karburante nga buxheti i shtetit.
Deputetja nga Prizreni, Yllza Hoti, e cila është kompensuar në vlerë prej 810 eurove për karburante, jeton në Prishtinë, ka mësuar mediumi online Paparaci.
Ndërkaq, bazuar në deklarimin e pasurisë, ajo ka deklaruar një banesë në sipërfaqe prej 90.00 m2. Banesa vlen 38,000.00 euro. Po ashtu, ajo mban mbi 10 mijë euro kesh të kursyera në institucione bankare.
Një deputet tjetër i pushtetit qeverisës që përfitoi 630 euro për mbulimin e harxhimeve të karburanteve, Gramoz Agusholli, vozit veturë luksoze. Ai ka deklaruar në pronësi një veturë Audi A8. Vlera e saj peshon 50,000.00 mijë euro.
Vlera e përgjithshme e pasurisë së deklaruar prej tij është milionëshe. Deputeti nga Peja, ka aksione në tri kompani private. Aksionet e tij në tri bizneset afariste vlejnë mbi 60 mijë euro.
Agusholli, i cili përfitoi mbi 600 euro për mbulimin e shpenzimeve të karburanteve, mban 7 mijë e 500 euro në institucione bankare, sipas deklarimit të pasurisë më 2021.
E nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, e cila u mbulua me 660 euro të taksapaguesve kosovarë për shpenzimet e saj të karburanteve, posedon veturë të vlefshme shtatë mijë euro.
Ajo, ka deklaruar në pronësi të saj edhe një banesë në Arbëri – “Dragodan”, lagjen e “famshme” të kryeqytetit.
Haxhi Avdyli, deputeti i “Listës Guxo”, pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, posedon po ashtu pasuri të majme.
Përveç shtëpisë, të cilës ia ka vënë vlerën e 120 mijë eurove, ai posedon edhe një vilë malore. Atë e ka deklaruar me çmim 50 mijë euro.
Pasuria që posedon, Avdylit nuk ia ka hequr të drejtën për të përfituar 630 euro për mbulimin e shpenzimeve të karburanteve në dy muaj, raporton Paparaci.
Artan Abrashi, deputeti i LVV-së nga Prizreni, nuk posedon veturë. Megjithatë, ai ka përfituar mbulim prej 690 euro nga buxheti i kuvendit për shpenzime të karburanteve në dy muaj, nëntor-dhjetor të vitit 2021.
Në deklarimin e pasurisë vitin e kaluar, Abrashi ka paraqitur një shtëpi me sipërfaqe prej 144 metrave katrorë, me lokacion në Prizren.
Deputeti tjetër Adnan Rrustemi, përfitues nga mbulimi për karburante, posedon veturë në vlerë prej shtatë mijë euro. Sipas deklarimit në AKK, ai ka thënë se ndodhet në kredi më shumë se tri vjet pas blerjes së veturës.
Besim Muzaqi, ligjvënës në Kuvendin e Kosovës, hargjoi 170 euro për udhëtime nga Vushtrria. Mjetet e shpenzuara për karburante ia mbuloi Kuvendi i Kosovës.
Por, pasuria e tij e paluajtshme është e lakmueshme për qytetarët e vendit me mesatarën më të ulët të mirëqenies ekonomike në Evropë. Ai posedon tri parcela tokë që vlejnë mbi 20 mijë euro në vlerë të përbashkët.
Nga e premtja e parë e muajit shkurt, asnjëri nga deputetët e LVV-së nuk do të mbulohen për udhëtimet e tyre në punë.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila, publikoi sot vendimin për tërheqjen e LVV-së nga benefitet për mbulimin e karburanteve. /Paparaci.com
