Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një kapiteni, një rreshteri dhe një zyrtari policor, të cilët ishin në detyrë në momentin kur Milan Radojçiq ka ikur nga pika e kalimit kufitar në Bërnjak.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë (një kapiteni, një rreshteri dhe një zyrtari policor – që të gjithë punonjës në në pikë kalimin kufitar në “Bërnjak” në Drejtorin Rajonale Kufitare “Veriu”)”, thuhet në komunikatën e IPK-së.
Kërkesa për suspendimin e tyre vjen pas arratisjes së Milan Radjçiq nga pika kufitare në Bërnjak, derisa po kryheshin procedurat për verifikim të dokumenteve.
“IPK mbrëmë ishte njoftuar nga Policia e Kosovës rreth një incidenti i cili kishte ndodhur në pikë kalimin kufitar në “Bërnjak” në Drejtorinë Rajonale Kufitare Veriu ku gjatë procedurave të kalimit kufitar në hyrje ishte paraqitur një i dyshuar (me inicialet M.R) dhe i njëjti kishte rezultuar si person i kërkuar”, thuhet në komunikatë.
Dyshohet se Radojçiq është kthyer mbrapa me veturën e tij, derisa zyrtarët policorë po kryenin procedurat e verifikimit.
Dokumentet e tij kanë mbetur te zyrtarët policorë.
“Personi i kërkuar dyshohet se ka vozitur veturën e tij mbrapa dhe është kthyer prapë në drejtim të Serbisë, ndërsa dokumentet e tij kishin mbetur tek zyrtarët policorë të pikë kalimit kufitar”.
“Hetuesit e IPK-së në konsultim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë filluar një procedurë hetimore ndaj tre zyrtarëve policorë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
