Visar Mulliqi, përfaqësuesi i skenës artistike të Kosovës, do të prezantohet para publikut me ekspozitën me titull “Jashtë ngjyrave” në hapësirën e galerisë “Çifte Hamam” të Galerisë Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Hapja e ekspozitës është planifikuar për në 28 tetor 2021, në orën 19:00 dhe do të zgjasë deri më 5 nëntor 2021.
Në kuadrot ekspresive të piktorit Visar Mulliqit, ndodhesh brenda një universi, ku ndërthuren në mënyrë mjaft të dukshme shqetësimi dhe përjetimi ekzistencial i autorit, emocioni i tij i mbërthyer në psikologjinë e një numri të madh figurash si njolla dinamike që pulsojnë pareshtur kuadrot. Këto figura kthehen në një motiv origjinal të krijimtarisë e tij, si dhe me tensione të dukshme dhe të fshehta në strukturat kompozicionale herë poetike e herë dramatike.
Çdo element i përdorur nga ai, shfaqet si formë e pastër në vetvete pa marrë përsipër të komunikojë ndonjë mesazh të caktuar.
Veprat e piktorit Visar Mulliqi dëshmojnë një rrugë të gjatë. Profesionalizmi dhe origjinaliteti artistik, tashmë plotësisht i formuluar në një dimension ekspresionist, e ngrit shikueshmërinë dhe kënaqësinë tek artdashësit.
