Të fundit

Inspektorati në rolin e agjentëve tregtarë – u rekomandon spitaleve kontrata me një kompani

Inspektorati Farmaceutik ka urdhëruar që oksigjeni i blerë prej disa spitaleve private nga kompania “Lindi Gas” të mos përdoret me arsyetimin se prodhon gaz industrial dhe se nuk ka licencë. Këta të fundit thonë se ky vendim është arbitrar dhe i padrejtë, raporton Paparaci.

Besfort Veseli

Gjatë ditës së sotme, Inspektorati Farmaceutik që funksion në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, ka kryer inspektime nëpër 14 klinika të ndryshme private.

Në disa prej tyre ka marrë vendim që oksigjeni i blerë në ndërmarrjen “Lindi Gas” të ndërpritet dhe të mos përdoret, edhe pse kohë më parë pikërisht MSh-ja kishte një marrëveshje në fuqi me kompaninë.

Në njërën prej spitaleve private, vendimin e Inspektoratit që Paparaci e ka siguruar, thuhet se gazi i oksigjenit nga ajo kompani prizrenase, të ndalohet së përdoruri edhe në raste emergjente.

Mes tjerash, spitaleve iu është thënë që mos të përdoret gazi për asnjë arsye. Rrjedhimisht, pacientët do të jenë të rrezikuar për shkak të mungesës së oksigjenit.

Gjithashtu, inspektorët i kanë vendosur letrat me mbishkrimin “oksigjeni nuk përdoret” në pjesën ku qëndrojnë stoqet e këtij gazi në atë spital.

Madje, inspektorët kanë dalë jashtë kompetencave të tyre. Kanë propozuar që gazi të blihet te një kompani tjetër, ndonëse me çmim më të lartë.

Spitalet private që deri më tani oksigjenin e blinin për 1 euro e 20 cent te “Lindi Gas”, tani atë do ta kontraktojnë diku tjetër, me çmim 80 për qind më të shtrenjtë. Kjo pas rekomandimeve të inspektorëve, të cilët janë shndërruar në agjentë tregtarë të një kompanie private.

Një gjë e tillë kishte ndodhur edhe gjatë ditës së sotme. Kompania “Medica SHPK”, kishte nënshkruar një marrëveshje me njërin prej spitaleve private, për furnizim me oksigjen medicinal.

Çmimi për 1 kilogram oksigjen, në bazë të marrëveshjes së firmosur ishte 2 euro.  Pothuajse dyfish më shtrenjtë sesa prej kompanisë, që u penalizua nga Inspektorati Farmaceutik.

Për krejt këtë ngjarje, mediumi online Paparaci, ka kontaktuar me drejtorin e kompanisë  “Lindi Gas”, Hysni Hoxha, i cili theksoi se vendimi i Inspektoratit është arbitrar dhe se pretendimi për furnizim me oksigjen industrial, nuk qëndron.

Hoxha thotë se licencimi për furnizimin e spitaleve private me oksigjen ka kaluar për shkak të gjendjes me COVID-19 dhe mungesës së ekspertëve që Agjencia e Kosovës për Produkte Medicinale, nuk i ka.

“Inspektorati Farmaceutik ka ardhur në mënyrë arbitrare dhe ka deklaruar se ne po i furnizojmë spitalet private me oksigjen industrial, që nuk është e vërtetë, sepse ne kemi dokumentacion, analizatorë dhe kushte teknike optimale për oksigjen medicinal. Është një shkelje procedurale sepse afati i licencave na ka kaluar pasi për shkak të COVID-19 dhe mungesës së ekspertëve që AKPM-ja nuk i ka, është vonuar licencimi dhe vazhdimi i licencës”.

“Faktikisht, kemi shitur oksigjen pa autorizim, por nuk e kemi rrezikuar asnjë moment jetën e pacientëve dhe për këtë jap përgjegjësi. Këtu e kam policinë për krimet ekonomike, dhe ia jap mostrën për analizë dhe nuk del që është oksigjen medicinal, na marrim përgjegjësi, pasi kemi dhënë vetëm oksigjen medicinal”, vlerësoi ai në një prononcim për mediumin.

Ai shtoi se inspektorët po shkojnë në disa spitale dhe po propozojnë që ku të blihet oksigjeni, që sipas tij, kjo është një shkelje e rëndë.

“Inspektorati po shkojnë nëpër spitale dhe po japin instruksione se ku me shku me dhënë oksigjen, kjo është një shkelje e rëndë duke thënë shkoni në ‘filan firmën’ blini oksigjen”.

Sipas Hoxhajt, jeta e asnjë pacienti nuk është rrezikuar.

Ai shprehet se prej kohës së pandemisë së koronavirusit, të gjitha institucionet shëndetësore kanë marrë oksigjen nga ndërmarrja e tij, duke përfshirë këtu edhe QKUK-në, klinikat apo spitalet private.

Paparaci ka provuar të kontaktojë me Ministrinë e Shëndetësisë për këtë çështje, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm për mediumin deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Që nga fillimi i pandemisë së COVID-19, spitale të ndryshme të Kosovës janë ballafaquar me mungesë të oksigjenit.

Spitali i Mitrovicës së Jugut në dhjetorin e 2020-ës ishte përballur me mungesë të këtij gazi dhe për këtë arsye pati huazuar disa bombola oksigjeni nga Spitali i Vushtrrisë, në mënyrë që pacientët të mos pësojnë probleme.

Vështirësi për furnizim me oksigjen kishte edhe Spitali i Gjilanit atëkohë. Spitalit të Pejës i ishte dashur të bëjë një plan B në rast të vonesës së furnizimit, kurse ai i Prizrenit kishte marrë vendim të përdorë oksigjen të lëngshëm.

Aktualisht në Kosovë, përveç numrit të rasteve aktive me COVID-19 që është 5 mijë e 961, janë edhe 136 qytetarë hospitalizuar. Në mesin e tyre janë edhe 92 pacientë me oksigjeno-terapi, një në ventilim dhe katër me CPAP. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

"S'du as me i pa me sy": Deputetja e LDK-së flet për njerëzit që s'mundet me i duru - "Albini vjen na shet pralla"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci