Të fundit

Emërohet në pozitë publike ish-funksionari i LVV-së, i hetuar nga AKK-ja

Një ish-funksionar i Lëvizjes Vetëvendosje do të mbikëqyrë menaxhimin e rrjetit hekurudhor të Kosovës. Selatin Retkoceri, ish-kryetar i Qendrës së LVV-së në Lipjan, është emëruar sot anëtar i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Infrakos” Sh.A.

Kastriot Kokollari

Selatin Retkoceri do të vazhdojë të ushtrojë funksione publike, një muaj pas përfundimit të mandatit si anëtar i Bordit të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive, në të cilën ishte emëruar në mënyrë të dyshimtë nga ish-qeveria Haradinaj.

Ish-kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan, do të rikthehet të ushtrojë një funksion publik – tash me vendim të Qeverisë Kurti – në një tjetër ndërmarrje publike.

Retkoceri është emëruar sot anëtar i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Infrakos”, bazuar në një vendim të miratuar të mërkurën në mbledhjen e 64-të të Qeverisë së Kosovës.

Por, ai është shprehur të mos jetë në dijeni për përzgjedhjen në Bordin e “Infrakosit”, pavarësisht prej faktit se emërimi i tij është bërë publik nga qeveria.

“Unë kam aplikuar për pozitë në Bordin e ‘Infrakosit’ por nuk jam njoftuar ende për këtë vendim”, ka thënë Retkoceri në një bisedë me Paparacin të mërkurën. “Unë jam intervistuar dhe mendoj se i kam kaluar mirë procedurat”.

Selatin Retkoceri ka bagazh politik më shumë se sa institucional. Për një kohë të gjatë, kontabilisti nga Komuna e Lipjanit është angazhuar si aktivist politik në Lëvizjen Vetëvendosje, tash në pushtet.

Në subjektin politik të udhëhequr nga kryeministri aktual Albin Kurti, ai ka ushtruar funksione drejtuese. Ka udhëhequr Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Lipjanit deri në vitin 2017.

Përveç kandidimit në zgjedhjet lokale të vitit 2017 si bartës i Listës së Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan dhe pastaj përfaqësimit në Asamblenë Komunale, ai ka qenë edhe kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet nacionale të vitit 2017.

Në zgjedhjet nacionale, Retkoceri kishte marrë 2 mijë e 369 vota, raporton Paparaci.

Afrimi me PDK-në dhe emërimi i hetuar nga AKK-ja

Dështimit për të siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës, i ka pasuar dorëheqja nga Lëvizja Vetëvendosje dhe afrimi me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Retkoceri u shfaq në shoqërinë e Kadri Veselit, ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës në shtator të vitit 2019. Asokohe, Veseli e prezantoi Retkocerin si “pjesëtarin më të ri” të PDK-së në pushtet.

“Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan, Selatin Retkoceri, i cili ishte edhe kandidat për kryetar komune, nga sot është pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës. Selatini është magjistër i shkencave ekonomike dhe është një veprimtar i dalluar politik”, shkroi Veseli, në përshkrimin e një fotografie ku shfaqej bashkë me ish-funksionarin e LVV-së.

Megjithatë, Retkoceri ka përgënjeshtruar deklarimin e para tri vitesh të Veselit derisa po deklarohej për Paparacin sot.

“Në PDK kam qenë në takim me z. Veseli, më ka kërkuar që të anëtarësohem në parti, por unë nuk kam pranuar të jem pjesë e PDK-së”, është shprehur Retkoceri.

Disa muaj më parë, ai ishte “shpërblyer” me pozitë publike nga pushteti i asaj kohe, që përveç PDK-së përbënte një koalicion të gjerë me AAK-në e ish-kryeministrit Haradinaj dhe Nismën Socialdemokrate.

Pas një procesi të dyshimtë, Retkoceri ishte emëruar anëtar i Bordit të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive më 2019. Vendimi ishte miratuar në një mbledhje të Qeverisë Haradinaj më 2 prill, 2019.

Emërimi i tij dyshohej se ishte realizuar në kundërshtim me Ligjin e Ndërmarrjeve Publike.

Retkoceri ishte emëruar në Bordin e Kompanisë së Menaxhimit të Deponive, në të njëjtën kohë kur shërbente si këshilltar komunal në Lipjan.

“Të gjithë drejtorët përveç kryeshefit ekzekutiv duhet të jenë të pavarur. Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhjet si drejtor në një ndërmarrje publike nëse: është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajshe para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në nenin 17, pikën 2 të Ligjit të Ndërmarrjeve Publike.

Një dosje e Retkocerit mbi dyshimet e procesit të emërimit të tij në Bordin e KMD-së, ka përfunduar në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK). Retkoceri thotë se edhe pas tri vitesh që nga hapja e rastit kundrejt tij, nuk ka pranuar vendim nga AKK-ja.

“E di që është kontestuar ligjërisht në AKK, por nuk kam pranuar ende njoftim”, ka deklaruar ai për Paparacin të mërkurën.

Anëtarët e tjerë në këtë Ndërmarrje Publike që janë emëruar nga Qeveria e Kosovës janë:

Afrim Mehmetaj kryesues, Fitnete Dervisholli, Lulzim Beqiri, Ardita Sinani, Ilir Zhitia. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci