Një nga tre personat e akuzuar në lidhje me mbidozën fatale të Mac Miller ka marrë përsipër fajin dhe ka pranuar një dënim me 17 vjet burg për pilulat që i shitën reperit pak para vdekjes së tij në vitin 2018.
Sipas kushteve të marrëveshjes, prokurorët duhet të heqin dorë nga akuzat e tjera të Stephen Andrew Walter dhe e lejojnë atë të pranojë një akuzë të re të vetme për shpërndarjen e fentanilit. Ai ishte akuzuar më parë për akuza më të rënda, duke përfshirë shpërndarjen e fentanilit që rezulton në vdekje dhe komplot për të shpërndarë një substancë të kontrolluar që rezulton në vdekje.

“Akuza e re heq akuzën për vdekje,” –tha për revistën Rolling Stone avokati i Walter, William S. Harris. “Është një marrëveshje detyruese për pranimin e fajësisë për 17 vjet [burg]. Gjykatësi ose do ta pranojë ose do ta refuzojë atë. Nëse ai e pranon, nuk do të ketë fuqi për të dënuar më shumë klientin tim. Nëse ai e refuzon, nuk ka marrëveshje.”
Walter do të paraqitet në një seancë dëgjimore më 8 nëntor për të ndryshuar kërkesën e tij nëse marrëveshja e propozuar pranohet.
Një nga të pandehurit në këtë rast, Cameron James Pettit, gjithashtu arriti një marrëveshje për pranimin e fajësisë, thotë një burim për Rolling Stone. I pandehuri i tretë, Ryan Michael Reavis, ka një gjyq të caktuar më 1 mars.
Miller, emri i plotë i të cilit ishte Malcolm James McCormick, vdiq në shtëpinë e tij në Los Anxhelos më 7 shtator 2018, në moshën 26-vjeçare, nga një koktej vdekjeprurës i fentanilit, kokainës dhe alkoolit.
Sipas aktakuzës, Pettit kishte rënë dakord më 4 shtator që t’i shiste McCormick 10 pilula oksikodoni të quajtura “blu”, si dhe kokainë dhe qetësuesin Xanax. Kur bëri dorëzimin më 5 shtator, Pettit dyshohet se i dha McCormick pilulat e falsifikuara të oksikodonit që përmbanin fentanil.
