Të fundit

Ekskluzive: Kokë më kokë me krimin – lidhjet e prokurorit Armend Hamiti me Shaban Kilajn

Mediumi online Paparaci ka siguruar prova të takimeve dhe raporteve të të dënuarit Shaban Kilaj me prokurorin e krimeve të rënda, Armend Hamiti, i cili i ka hyrë garës për kryeprokuror të Shtetit. Hamiti, sipas burimeve të mediumit, është kandidati që po përkrahet nga pushteti i Vetëvendosjes së udhëhequr nga Albin Kurti. Ky pushtet nuk po lë “gurë” pa lëvizur me qëllim që i pëlqyeri i pushtetit të bëhet kryeprokuror. Paparaci ka siguruar fotografi të takimeve të Hamitit dhe Kilajt. Një i tillë është zhvilluar mbrëmjen e 20 nëntorit 2021 në restorantin “Pinokio” në Prishtinë. Aty, shihet prokurori Hamiti duke e nderuar një të dënuar për disa vepra penale. Madje, ia mban edhe karrigen. Kilaj po punon me pushtetin edhe për ndërtimin e një “policie sekrete”.

Paparaci

Një person që njihet për kontrabandë migrantësh, rezulton të jetë njëri i afërt me prokurorin e krimeve të rënda, Armend Hamiti.

Shaban Kilaj, është dënuar për kontrabandim me migrantë. Është i dënuar për kërcënim të një zyrtari policor të Kosovës. Po ashtu është i dënuar për falsifikim të një shume të konsiderueshme dollarësh amerikanë.

Megjthatë, krejt këto vepra penale, nuk kanë qenë pengesë që ai të ndërtojë një relacion të afërt me prokurorin e Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti.

Mediumi online Paparaci, ka siguruar prova të takimeve dhe raporteve të të dënuarit Shaban Kilaj me prokurorin e krimeve të rënda, Armend Hamiti, i cili i ka hyrë garës për Kryeprokuror të Shtetit.

Hamiti, është kandidati që po përkrahet nga pushteti i Vetëvendosjes së udhëhequr nga Albin Kurti. Ky pushtet nuk po lë “gurë” pa lëvizur me qëllim që i pëlqyeri i pushtetit të bëhet kryeprokuror.

Fotografitë dhe dëshmitë e siguruara nga Paparaci tregojnë se Hamiti dhe Kilaj janë në lidhje të afërt dhe diskutojnë edhe për raste penale të cilat i ka në hetim dhe gjykim prokurori, Hamiti.

Paparaci, ka siguruar fotografi të takimeve të Hamitit dhe Kilajt. Një i tillë është zhvilluar mbrëmjen e 20 nëntorit 2021 në restorantin “Pinokio” në Prishtinë. Aty, shihet prokurori Hamiti duke e nderuar një të dënuar për disa vepra penale. Madje, ia mbanë edhe karrigen.

Dëshmi tjera ekspozojnë prokurorin, Hamiti në takime të dyshimta gjatë natës me të dënuarin Shaban Kilaj, tek varrezat në Arbëri në pikë të natës. Arsyet e këtij takimi i dinë të dy.

Prokurorit Hamiti për shumë vjetësh janë munduar t’ia ndërtojnë një profil të një prokurorit të guximshëm dhe pakorruptuar. Megjithatë, dëshmitë tregojnë të kundërtën.

Ndërkohë, njeriu i afërt i tij Shaban Kilaj, ka profil të një të dënuari që ka manipuluar me viza amerikane, ka kontrabanduar migrantë, ka falsifikuar dollarë, ka kërcënuar një zyrtar policor. Për këto është dënuar më tri vjet e gjysmë burgim. Ka vuajtur dënimin. Paraprakisht ka pranuar fajësinë dhe ka hyrë në marrëveshje me prokurorin me qëllim të zbutjes së dënimit.

Në tetor të vitit të kaluar, Paparaci ka siguruar komunikime dhe incizime të Shaban Kilajt në cilësi të sekserit të Albin Kurtit. Ai kishte provuar ta bindte Gani Gecin, që vajza e tij deputete, Marigona të kalonte në Vetëvendosje ose Listën Guxo. Në këmbim do të merrte poste si zëvendësministra e ambasadorë. Kurti, ka shumë muaj që ka heshtur rreth kësaj çështjeje.

Paparaci pati publikuar komunikime e incizime të Kilajt me Gani Gecin. Ai kishte shkuar në konakun e vëllezërve Geci në Llaushë, për ta bindur atë që Marigona Geci t’i bashkohej Listës Guxo.

Nëse do ta bënte këtë do të shpërblehej “rrast”.

Denoncimin se një sekser i Kurtit i kishte shkuar në shtëpi, e kishte bërë vetë Geci në një postim të gjatë në Facebook.

Sipas Gecit, personi në fjalë i ka premtuar pozita për vajzën e tij nëse ai pranon që t’i bashkohet Kurtit.

“Albin Kurti më ka thanë me ardh me bisedu me ty, dhe ai ka dy opsione për ty nëse ti fillon me bashkpunua me Albin Kurtin dhe Qeverinë Kurti. Po i thash çfarë janë ato opsione? Opsioni i parë, ti mundesh me ia dërgua dy zëvendësministra në Qeverinë e Albin Kurtit këdo që dëshiron ti, njerëz tu të besuar dhe për këtë vajza juaj kalon në Grupin parlamentar të LVV. Opsioni i dytë është pak ma i lehtë për ty nëse vajza juaj kalon në listën Guxo mund të bëhet kryetare e grupit parlamentar të listës GUXO dhe ti e emëron 1 zëvendësministre ose edhe ndonjë ambasador”, kishte shkruar Geci më 4 mars të këtij viti.

Kurti në zgjedhjet e 14 shkurtit, së bashku me Vjosa Osmanin, fitoi mbi 50 për qind të votave. Kishte vota të mjaftueshme për ta votuar qeverinë, por jo edhe presidenten.

Një muaj pas postimit të Gecit, Vjosa Osmani ishte zgjedhur president. Korumin ia kishte bërë LDK-ja, derisa Kurti kishte marrë në grup një deputete të PDK-së. Kishte siguruar edhe dy vota të Listës Serbe dhe një të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Paparaci, ka publikuar një incizim të një bisede në mes të Gani Gecit dhe Shaban Kilajt, i cili fliste në emër të Kurtit.

Po ashtu ka siguruar fotografi të Kilajt me Kurtin dhe me Gecin. Ka siguruar edhe biseda ndërmjet Kilajt dhe Kurtit nëpërmjet aplikacionit, Viber, por për shkak të pamundësisë së verifikimit të tyre, nuk do t’i botojë.

Kilaj, një person i akuzuar për dallavere me viza amerikane, vazhdon të thirret si njëri që ka lidhje me amerikanë. Një aktakuzë e para disa viteve, atë e ngarkonte për vepra penale që lidheshin pikërisht me viza amerikane.

Se lidhjet e Kilajt me pushtetin janë të forta e dëshmojnë edhe një seri komunikimesh të Kilajt nëpërmjet e-mailit në të cilat është i përfshirë edhe Luan Dalipi, shefi i Kabinetit të kryeministrit Kurti. Korrospodenca përfshin edhe emrat e Genc Nimonit, shefit të kabinetit të ministrës së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe pjesëtarë të tjerë të kabinetit Kurti. Ata diskutojnë për ndërtimin e një policie sekrete ushtarake.

Këto dëshmi do të publikohen në vazhdimin e radhës së hulumtimit të Paparacit.

Prokurorja Drita Hajdari e ndoqi penalisht Kilajn bashkë me tre të tjerë, Xhevat Krasniqin, Burim Hoxhën dhe Januz Kastratin, për kontrabandë me migrantë, keqpërdorim të detyrës zyrtare, falsifikim të parasë dhe kanosje.

Shaban Kilaj, veçanërisht, akuzohej nga Prokuroria e Shtetit për kryerjen e tri veprave penale. Prokurorja Drita Hajdari e ndoqi atë penalisht për kontrabandë me migrantë, falsifikimit të parasë dhe kanosjes.

Në aktakuzën e asokohe prokurores së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kilaj përfshihej në kontrabandimin e katër personave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ngjarja kishte ndodhur në vitet 2010-2011.

Sipas aktakuzës, në bashkëpunim me zyrtarë qeveritarë të kohës, Kilaj kishte kontrabanduar migrantë për në ShBA duke përdorur vizitën zyrtare të ish-zëvendëskryeministrit, Hajredin Kuçi.

“Të pandehurit Shaban Kilaj dhe Xhevat Krasniqi në vitin 2010 dhe 2011 në Prishtinë, sipas marrëveshjes paraprake, e me qëllim që vetes t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm janë marrë me kontrabandim të migrantëve”, thuhet në aktakuzë.

Pasi kishte siguruar ftesën zyrtare nga një studio ligjore në ShBA adresuar ish-zv/kryeministrit Kuçi, i akuzuari Kilaj kishte përfshirë emrat e katër personave që nuk bënin pjesë në listën e vizitës zyrtare të qeveritarëve në ShBA dhe kishte parashtruar kërkesë në Ministrinë e Punëve të Jashtme për përfshirjen e emrave përfitues si pjesëtarë të delegacionit qeveritar për në ShBA.

Kilaj, sipas aktakuzës së Prokurorisë, kishte përfituar 15 mijë euro nga përfituesit e vizave, raporton Paparaci.

E njëjta aktakuzë, e ngarkonte Shaban Kilajn edhe për veprën penale të falsifikimin e parasë. Ai akuzohej për prokurimin e 800 dollarëve të falsifikuar amerikanë përgjatë vitit 2012. Dollarët e falsifikuar u ishin gjetur të akuzuarit në banesën e tij në Prishtinë.

Në muajin gusht të vitit 2012, Shaban Kilaj kishte kërcënuar hetuesin policor Lutfi Krasniqin. Ishte zotuar se do ta bënte policin e Kosovës të “paguante shtrenjtë” për kinse shantazhet ndaj tij.

“Të gjitha këto ke me i pagu shtrenjtë”, i shkruante ai, policit kosovar.

Në një gjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë të zhvilluar përgjatë vitit 2013, Kilaj u dënua për tri veprat penale. Gjykata e shpalli Kilajn fajtor për kontrabandë me migrantë, falsifikim të parasë dhe kanosje.

Ai u dënua me tri vite e pesë muaj burgim, raporton Paparaci.

Apeli, vërtetoi fajësinë e Kilajt. Ndërsa, Gjykata Supreme ndryshoi aktgjykimin e shkallës së parë ndajtij, por aktgjykimi ia vërtetoi fajësinë për tri veprat penale me të cilat ngarkohej dhe e dënoi atë sërish me burgim. Megjithatë, Supremja ia zbuti Kilajt dënimin me burg në saktësisht tri vjet në vuajtje të dënimit. /Paparaci.com

Vijon nesër: Hulumtimi për implikimin e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës nga Shaban Kilaj në ndërtimin e një policie sekrete ushtarake

Video nga Paradoks

“S’ka vend ma t’fortë se Bellaqefci”: Valon Syla imiton e flet për turqit – “Si mongol, si Samurai”, këndon Poçarin e Ilir Shaqirit e tregon rastin komik me shqiptarët në Turqi.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci