Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se partia e tij po i sheh me shqetësim, siç i quan ai, “dështimet e njëpasnjëshme të qeverisë aktuale, veçanërisht në dështimin e tyre që vendit t’i ofrojnë investime kapitale apo pako zhvillimore, që ka shkaktuar situatë të rëndë ekonomike e sociale”.
Sipas tij, me vetëm 7% rritje reale ekonomike, kryesisht falë remitencave, me deficitin tregtar mbi 3 miliardë euro, rritjen enorme të çmimeve, kjo qeveri nuk sjellë asnjë shpresë për ekonominë e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve.
“Në anën tjetër, komunat që udhëhiqen nga AAK, gjatë 100 ditëshit të parë të udhëheqjes, kanë treguar dinamizëm të lartë në qeverisje dhe janë shembull i mirë i qeverisjes në nivel vendi”, shkroi ai në Facebook.
“Qeveria e Kosovës sa më parë duhet ta ndryshojë dhe ta përshtat me kushtet e reja makroekonomike, kornizën afatmesme të shpenzimeve dhe të fillojë rishikimin e buxhetit, duke ridestinuar mjetet që nuk do të mund të realizohen, përfshirë dhe për Ligjin e Pagave, e jo të keqpërdoret buxheti për qëllime populiste e elektorale”.
