Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi sot se ka nisur hetimet pas raportimeve për punësimet e parregullta në KEK. Për këtë ka folur Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ajo thotë se raportimet për punësim të familjarëve dhe militantëve të VV-së në KEK kanë qëllim dëmtimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Pa dyshim që ne me shqetësim i kemi parë deklaratat në raport me këtë çështje (punësimet në KEK). Unë nuk kam pasur as mundësinë e as kohën që të shoh në qoftë se të njëjtat qëndrojnë apo jo megjithatë duke pasur parasysh sulmet e vazhdueshme kundrejt qeverisë tonë, kundrejt në veçanti Lëvizjes Vetëvendosje edhe mund të pritet që janë akuza të pabaza, të padrejta”, tha Haxhiu në televizionin publik.
Haxhiu tutje ka përshëndetur nisjen e hetimeve nga ana e Prokurorisë Themelore për punësimet masive të njerëzve të VV-së.
“Në këtë drejtim, unë përshëndes edhe nisjen e hetimeve nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, për faktin se secili pretendim pavarësisht qëllimit që ka, unë mendoj se mbyllet në momentin që një institucion siç është Prokuroria në Prishtinë që ka njoftuar se po merret me rastin”, tha ajo në Radiotelevizionin Publik të Kosovës.
Ministrja Haxhiu ka akuzuar edhe partitë opozitare se po tentojnë të njollosin Vetëvendosjen, e tërthorazi ka mohuar se ka punësime partiake të anëtarëve të VV-së.
“Është për keqardhje që subjektet politike të cilat nuk kanë lënë ndërmarrje publike pa shkatërruar hedhin akuza të tilla kundër VV-së por duket se më tepër kanë qëllim me e dëmtuar Lëvizjen Vetëvendosje sesa që diçka qëndron sa i përket të njëjtave”, theksoi ajo.
Një hulumtim i Paparacit, i publikuar të hënën, nxjerri në pah shkeljet e rënda ligjore në procesin e rekrutimit të 128 punëtorëve në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Njerëz të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet, si dhe të afërm të anëtarëve të komisionit intervistues të punësimit, figurojnë në mesin e të punësuarve në KEK.
Në këtë konkurs në të cilin janë pranuar 128 persona, 120 prej tyre janë të afërm me partinë në pushtet. 40 të tjerë, kanë deklaruar haptazi se kanë familjarë të punësuar në ndërmarrjen publike.
Në konkurs kanë aplikuar plot 4668 persona.
