Komisioni i Venecias i ka mbyllur rrugë vettingut në drejtësi, të cilin e ka planifikuar Qeveria e Kosovës.
Sipas një draft-opinioni i cili ndodhet tashmë në Ministrinë e Drejtësisë, Komisioni i Venecias i rekomandon Ministrisë së Drejtësisë që verifikimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve të bëhet nga Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
“Për ta përmbledhur, Komisioni i Venecias rekomandon futjen e ndryshimeve legjislative që do të përmirësonin sistemin aktual të disiplinës gjyqësore, si një zgjerim i plotë i Opsionit 2, kjo ka të bëjë veçanërisht me forcimin e sistemit të deklarimit të pasurisë dhe forcimin e njësive të verifikimit brenda KGJK-së dhe KPK-së. Ndryshimet kushtetuese (Opsioni 5) duhet të merren parasysh vetëm nëse ndryshimet legjislative rezultojnë të pamjaftueshme”, thuhet në draft-opinion, të cilin e ka publikuar sot Koha Ditore.
Genc Nimoni, shefi i Kabinetit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë për Kohën Ditore se është pranuar një draft lidhur me çështje, porse ka shtuar që opinioni final do të dalë gjatë muajit qershor.
Draft-opinioni për vettingun në drejtësi është dokumenti i tretë brenda disa muajsh i cili mbërrin nga Komisioni i Venecias në adresë të Ministrisë së Drejtësisë.
Ministria, ka kërkuar konsulencë nga Komisioni i Venecias edhe për Projektligjin Prokurorial të Kosovës.
Bazuar në dy rekomandime të Komisionit, Ministria e Drejtësisë e ka dërguar rreth dy javë më parë versionin final të Projektligjit për KPK-në në kuvend. Projektligji është vendosur në rend të ditës në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Iniciativa ligjore nuk është shqyrtuar ende në mungesë të kuorumit. /Paparaci.com
