Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, më 6 prill, kishte propozuar që secili qytetar të mbështetet me nga 100 euro nga Qeveria e Kosovës. Sot, kur u mor një vendim i ngjashëm, lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, thotë se shuma e parave, që do të ndahen për pensionistët, të punësuarit e sektorit publiko-privat dhe studentët, është shumë e vogël.
Mëngjesin e sotëm, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, premtoi se për muajin prill, pensionistëve dhe punëtorëve të sektorit privat e publik do t’iu ndahen nga 100 euro shtesë.
Shefi i Qeverisë madje u shpreh se nga 100 euro do t’iu ndahen edhe studentëve, derisa vlera totale e të gjitha shtesave do të jetë rreth 100 milionë euro.
Por, një vendim i tillë, nuk po i pëlqen Ramush Haradinajt.
Kreu i AAK-së thotë, se nuk zgjidhen problemet vetëm për një muaj, derisa e ka quajtur lëmoshë këtë vendim të Qeverisë.
“Qeveria e Kosovës duhet te veprojë si qeveri e shtetit qytetarët kanë nevoje dhe për një euro por nuk zgjidhen problemet vetëm për një muaj. Është shume e vogël shuma prej 100 euro. Është e vogël kjo shume qe ai ta fsheh veprimin e tij për rritjen e pagave. Të punësuarit ne Kosovë kane nevojë për rritjen e pagave dhe Qeveria duhet t’i rritë ato”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka kërkuar që të lejohet tërheqja e e parave prej Trustit dhe t’u kthehen paratë qytetarëve për rritjen e çmimit të energjisë dhe siç ka thënë, faturat e fryra te energjisë.
Ajo çka e bën më interesante këtë deklaratë të ish-kryeministrit Haradinaj, është se pikërisht subjekti i tij politik, para një jave, kishte propozuar nga 100 euro për kosovarët.
Gazmend Abrashi nga AAK, më 6 prill, pati thënë se si kurrë më parë qytetarët duhet ta ndjejnë dorën e shtetit.
“Si kurrë më parë secili qytetar duhet ta ndjejë dorën e shtetit, andaj ne si AAK propozojmë që të ndahen si mbështetje për secilin qytetar nga 100 euro”, deklaronte Abrashi.
Sipas tij, mbështetja do të shpërndahej bazuar në ekstraktet familjare në secilën Komunë.
Masat e propozuara për krizën ekonomike nga Qeveria e Kosovës, sipas AAK-së nuk mjaftojnë.
Në një konferencë për media, Abrashi, thoshte se implementimi i tyre po shkon ngadalë dhe është i ngarkuar me procedura dhe paqartësi që sipas tij do të shkaktojnë vonesa dhe do të ndikojnë në rritjen e pasigurisë ekonomike.
Sipas AAK-së, në këto masa nuk janë të përfshirë shumë kategori si punëtorët pa kontrata e ekonomitë familjare, të vetëpunësuarit, nënat vetushqyese. Ky subjekt politik ka kërkuar që të bëhet urgjent rishikimi i buxhetit, me arsyetimin që të rialokohen mjetet bazuar në nevojat e komunave të vendit.
Masat ekonomike nuk po i bëjnë përshtypje as deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti.
Hoti, tha se masat e sotme të Qeverisë për shtesa prej 100 euro për disa kategori, janë reflektim i varfërisë së politikave fiskale dhe sociale të Qeverisë.
Në një postim në Facebook, ish-kryeministri theksoi se masat sado të dobishme që janë, nuk e zgjidhin problemin e rritjes së çmimeve.
Sipas Hotit, kjo ndihmë nuk përfshinë mijëra të papunë dhe ata që merren me bujqësi.
Megjithatë, ministri i Financave, Hekuran Murati, njoftoi se 100 euroshi për pensionistët pritet të shpërndahet në fund të kësaj jave ndërsa për punëtorët e sektorit publik në fund të muajit.
Murati tha se për studentët dhe punëtorët e sektorit privat, pritet të hapet një proces i aplikimit në ditët në vazhdim që do të merr më shumë kohë.
“Në radhë të parë do të jenë pensionistët, ata do ta marrin këtë shtesë me pensionin e radhës që do të jetë në fund të kësaj jave, ndërsa punëtorët e sektorit publik do ta marrin në fund të muajit si dhe për skemat sociale do ta marrin me afatin e rregullt. Gjatë ditëve në vijim do të hapet procesi i aplikimit për punëtorët e sektorit privat dhe studentet sepse duhet t’i marrim të dhënat nga ta”.
“Për t’u përmbushur e tërë pakoja e mbështetjes, na duhet që t’i kemi edhe disa ndryshime ligjore, është marrëveshja me Bankën Botërore për zgjerimin e skemës sociale, është Ligji për pagën minimale dhe Ligji për rishikimin e Buxhetit që na mundëson që t’i kemi këto mjete shtesë, për këtë mbështetje shtesë në kuadër të pagës. Ligji për pagën minimale, përveç që rrit pagën, ofron edhe rritje të pagës neto për të gjithë punonjësi”, tha ai.
Për më tepër, Murati u bëri thirrje punëdhënëseve të sektorit privat që të shqyrtojnë mundësinë e mbështetjes dhe rritjes së pagave për punëtorët e tyre. /Paparaci.com
