Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, në tubimin e tij përmbyllës, ka thënë se kjo fushatë ka ofruar një zgjedhje të qartë mes dy rrugëve.
“Njëra rrugë është rruga e krizës, e përçarjes, e konfliktit, e izolimit dhe e arrogancës. Rruga tjetër është rruga e zhvillimit, e stabilitetit, e bashkëpunimit, e punës dhe e rezultateve. Ne jemi rruga e dytë. Rruga e qytetarëve. Rruga e Kosovës”, ka thënë ai.
Sepse, siç ka thënë ai, Kosova nuk ka më kohë për eksperimente.
“Gjashtë vjet janë mjaft! Kosova nuk ka më kohë për një qeveri që e mëson punën duke gabuar mbi kurrizin e qytetarëve. Gjashtë vjet janë mjaft! Kosova nuk ka më kohë për njerëz që për çdo dështim e gjejnë një armik, por për asnjë problem nuk e gjejnë një zgjidhje. Gjashtë vjet janë mjaft! Mjaft është mjaft! Kosova ka nevojë për qeverisje serioze. Ka nevojë për plan. Ka nevojë për udhëheqje që dinë të punojë. Ka nevojë për udhëheqje që e kupton shtetin, ekonominë dhe institucionet. Ka nevojë për udhëheqje që i respekton qytetarët. Për udhëheqje të përgjegjshme. Për udhëheqje llogaridhënëse.”, ka thënë Hamza.
Ai ka thënë se këto janë fjalë të panjohura për këtë kryeministrin në ikje.
“Sepse për gjashtë vjet, Kurti e përdori shtetin sikur të ishte pronë e tij. I përdori institucionet për pushtet. I përdori financat publike për propagandë. I përdori vendimet e Qeverisë, jo për t’i ndihmuar qytetarët, por për ta shpëtuar pushtetin e vet.”, ka thënë Hamza.
