Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, për vendimin që t’u ndahen nga 100 euro në muajin prill, atyre që përfitojnë nga skemat sociale, studentëve dhe të gjithë të punësuarve.
Në një shkrim në Facebook, të martën, Abdixhiku e ka cilësuar vendim popullist.
“Mungesën e politikave zhvillimore e investimeve të mëdha kapitale në vend, po e zëvendësojnë me popullizëm. Këtë herë nga 100 euro lëmoshë secilit – pa ndonjë kriter, pa ndonjë kategorizim. Kanë ose s’kanë përfituesit, nuk ka fare rëndësi, të gjithë do të marrin njëjtë”, ka thënë Abdixhiku që më pas e ka cilësuar të padrejtë dhe paefekt këtë politikë. “Nuk besoj se ka pasur, ka e do të ketë diku tjetër në botë ndonjë politikë kaq të madhe me kaq pak ndikim. Popullzimi këtë ka. Blenë paqe sociale duke ushqyer varfërinë”.
“Albin Kurti sot dëshmoi përfundimisht se nuk ka ide e as njohuri për zhvillim. Beson se me intervenim një mujor, mund ta bëj të harrohet kriza e përballueshmërisë. Me 100 euro s’blihet shtrenjtimi i rrymës për 100%. Me 100 euro s’blihen vizat e punës për 120 mijë kosovarë. Me 100 euro s’blihet inflacioni dyshifror që vazhdon edhe përtej këtij muaji të shënojë rritje rekord. Me 100 euro s’blihen pagat e ulëta në sektorin privat e publik pa dallim. Me 100 euro nuk blihet papunësia, nepotizmi, mungesa e investimeve e regresi shoqëror. Politika zhvillimore është art. Këtë art, eksperti – tani i komunikacionit rrugor dhe gjurmëve në asfalt – s’ka se si ta kuptojë”, ka vazhduar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka thënë se po që se ai do të ishte kryeministër, masa të tilla s’do të kishin vend.
“Njerëzit në hall natyrisht se mirëpresin secilën ndihmë. Por duke i privuar ata nga projektet madhore e zhvillimore, në këmbim të lëmoshës së përkohshme, politikanët tregojnë jolidership. Mund dhe të merr kohë, por do ta kuptoni, se kjo lloj politike është tregtim i së ardhmes tuaj për një grusht mbështetje të përkohshme që s’zgjatë as edhe një muaj”, ka përfunduar Abdixhiku.
Të martën, Kurti njoftoi se në prill do t’u ndahen nga 100 euro ndihma pensionistëve, punëtorëve dhe studentëve nga një pako që kap vlerën rreth 100 milionë euro.
