Situata në Bosnjë e Hercegovinë po shkakton shqetësim të madh në BE dhe është në qendër të aktiviteteve tona diplomatike, tha sot zëdhënësi i BE-së Peter Stano.
Në një konferencë për shtyp ai tha se udhëheqësit politikë të këtij vendi duhet të gjejnë zgjidhje.
“Duhet të angazhohemi në dialog politik, sepse kjo është e vetmja mënyrë konstruktive për të gjetur zgjidhje të krizës midis liderëve politikë. Veprimet e njëanshme dhe retorika e përçarjeve duhet të ndërpriten për të mirën e qytetarëve dhe të perspektivës evropiane të Bosnjës”, tha Stano.
Lideri serb i Bosnjës, Milorad Dodik, po kërcënon të tërhiqet nga institucionet e nivelit shtetëror, përfshirë ushtrinë kombëtare të ndërtuar me ndihmën ndërkombëtare gjatë çerek shekullit të kaluar, dhe të rindërtojë një forcë serbe.
