Anëtari i Kuvendit Komunal në Komunën e Vushtrrisë, Ilmi Azemi dhe ish-anëtari Fitim Halili, të dy pjesëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, kanë kundërshtuar opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsion për “Parkun e Biznesit” në Vushtrri.
Ankesa e dy funksionarëve të PDK-së ka të bëjë me një aferë të dyshimtë korruptive me dhënien në shfrytëzim të pronave komunale për “Parkun të Biznesit”.
Opinioni i AKK-së ka gjetur se dhënia në shfrytëzim e pronave të komunës në këtë park biznesi përbën konflikt interesi në dy raste.
Familjarët e asamblistëve, Ilmi Azemi dhe Fitim Halili, kishin marrë pjesë në votimin për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale për bizneset tek “Parku i Biznesit”. Seanca ishte zhvilluar në muajin prill të vitit të kaluar.
Megjithatë Azemi dhe Halili po e konsiderojnë të pavlefshëm ligjërisht opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsion, i cili i përmendi dy rastet e tyre si gjendje e konfliktit të interesit.
Sipas një ankese të cilën ata e kanë parashtruar në AKK, e të cilën e posedon Paparaci, ata vlerësojnë se Kundër-Korrupsioni ka kaluar kompetencat ligjore në vlerësimin e rasteve të tyre.
Pos kësaj, ata kanë kërkuar sqarime shtesë mbi opinionin e AKK-së i cili kërkoi shfuqizimin e vendimit për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale tek Parku i Biznesit.

Në shkresën e tyre drejtuar AKK-së, ata kanë shprehur pakënaqësitë e tyre edhe ndaj ish-kryesueses së Kuvendit Komunal të Komunës së Vushtrrisë, Melihate Basholli.
Sipas tyre Basholli, e ka mbajtur fshehtë opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsion nga anëtarët e Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë.

Tutje, sipas tyre vlerësimet e Agjencisë Kundër Korrupsion në opinionin Ligjor veçmas që është i gabuar, pritet të sjellë edhe bllokim në vendimmarrje të Kuvendit të Komunës e që është në kundërshtim me parimet e Kushtetutës së Kosovës.

Paparaci të mërkurën ka raportuar mbi opinionin e Agjenicsë Kundër Korrupsion drejtuar Komunës së Vushtrrisë, ku janë gjetur shkelje të rënda në dhënien në shfrytëzim të pronave komunale për “Parkun të Biznesit”.
Mediumi online Paparaci, dje ka kontaktuar kryetarin e komunës Ferit idrizin, i cili ka thënë se ndodhet në hall të madh për projektin, të cilin tash po e konteston Agjencia Kundër Korrupsion.
Ai ka pohuar se do të respektojë rekomandimet e AKK-së. “Ne si komunë do të respektojmë në plotni opinionin e AKK-së”, tha Idrizi, në një përgjigje me shkrim për Paparacin të mërkurën.
Për këtë rast, Paparaci të mërkurën kishte kontaktuar edhe ish-kryetarin e komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.
Tahiri, në një prononcim për Paparacin, ka thënë se në kohën kur ishte aprovuar vendimi për Zonën Ekonomike, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal e kishte konsideruar atë të ligjshëm e në përputhje me ligjin.
Tahiri është shprehur i bindur se vendimi në tërësi është i ligjshëm.
“Në kohën kur është aprovuar ky vendim për Zonën Ekonomike nga Kuvendi i Komunës, MAPL e ka vlerësuar të ligjshëm dhe në përputhje me ligjin. Jam i bindur qe vendimi si tërësi është i ligjshëm, rastet individuale të konfliktit të interesit, duhet të trajtohen individualisht sipas ligjit”, ka thënë ai në një deklarim për Paparacin.
Ish-kryetari Tahiri ka deklaruar se sipas informatave që qarkullojnë në Vushtrri “ka interesa nga pushteti aktual që të shpërndajnë parcelat në Zonën Ekonomike” sipas interesave të pushtetit aktual.
Tahiri thotë se për gjendjen në konflikt interesi të dy asamblistëve, nuk mund të zhbëhet i gjithë procesi.
“Por assesi nuk duhet qe për shkak te dy personave te lartshënuar, te ndëshkohen 20 përfituesit tjerë ne Zonën Ekonomike qe vet Agjencia Kundër Korrupsion ka gjetur qe skenë pasur asnjë konflikt interesi”.
Në janar të vitit 2022 se Njësia e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës kishte “trokitur” në dyert e komunës së Vushtrrisë për të hetuar kontratat e dhënies në shfrytëzim të pronave komunale në Zonën Ekonomike në Lumadh, për shkak të dyshimit të keqpërdorimit nga bizneset dhe zyrtarët komunal me kontratat e këtyre pronave. /Paparaci/
Pronat e komunës për familjarët e asamblistëve, “hall i madh” për Idrizin
