Të fundit

Liberalizimi i vizave – Sagë rekomandimesh e dështimesh për Kosovën

Kosova është vendi i vetëm në Evropë qytetarët e së cilës janë ende të izoluar dhe detyrohen të presin me muaj të tërë nëpër ambasada që të udhëtojnë jashtë vendit.

Liberalizimi i vizave për shtetin që ka rreth dy milionë banorë ende mbetet njëra nga çështjet që vazhdon të diskutohet, por që nuk arrihet dot nga politikanët e qeverive tona ndër vite, shkruan Paparaci.

Ka rreth një dekadë që liderët politikë të Kosovës premtonin liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit. Ish-presidenti Hashim Thaçi, derisa ishte kryeministër, disa herë kishte premtuar liberalizim të vizave. Edhe ish-shefi ekzekutiv, Ramush Haradinaj, bashkë me Hashim Thaçin, patën përmendur muajin qershor, si mundësi për heqjen e vizave, por që nga ajo kohë, asgjë nuk ka ndryshuar dhe kosovarët mbesin njëjtë ashtu siç kanë qenë.

Kosova në vitin 2016 mori dritën jeshile nga Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme – LIBE në Parlamentin Evropian

Që atëherë, ky komitet kishte deklaruar se qëndron në favor të liberalizimit të vizave për Kosovës, mirëpo sipas tyre, kjo mund të fillojë atëherë kur Qeveria e Kosovës do të adresojë të gjitha çështjet e pazgjidhura.

Pro liberalizimit të vizave për Kosovën ishte votuar edhe në vitin 2018. Në atë kohë me 30 vota pro, dhjetë kundër dhe dy abstenime Kosova kishte marrë rekomandimin për liberalizimin e vizave.

Një përkrahje e tillë nga LIBE ishte bërë edhe në vitin 2019, ku 49 anëtarë të këtij komiteti kanë votuar pro fillimit të negociatave për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj, kishte përshëndetur këtë votim

“Ndonëse votim i përsëritur për të dytën herë, i gëzohem përkrahjes, që legjislatura e re e BE-së vazhdon t’i jap Kosovës në këtë të drejtë tashmë të fituar. Kosova dhe qytetarët e saj, presin që me të njëjtën përkrahje do të përsëritet edhe votimi i nevojshëm në Parlamentin Evropian, dhe përfundimisht në Këshill, që të hapen rrugët e shkëmbimeve kulturore, akademike, e turistike me Evropën edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës”, pati shkruar Haradinaj në Facebook.

Por, mbështetja e këtij komiteti që ndër vite i është bërë Kosovës dhe më të cilën janë krenuar edhe politikanët tanë, është vetëm njëra nga hallkat të cilat çojnë drejt rrugës së liberalizimit. Kjo sepse për të ndodhur liberalizimi i vizave për Kosovën, rekomandimi duhet të marrë dritën e gjelbër edhe nga instancat tjera të Bashkimit Evropian, raporton Paparaci.

Takimi i shtatë i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE – Kosovë

Në takimin e shtatë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim që u mbajt sot në Kuvendin e Kosovës mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës, kryeministri Albin Kurti e ka quajtur të padrejtë, vendimin për mosliberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Edhe zëri i qytetarëve të Kosovës duhet të dëgjohet nga ju. Veprimi për mosliberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës është i padrejtë dhe dritëshkurtër”, tha shefi i Qeverisë.

Ndërkaq, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, kërkoi të punohet për bindur Këshillin e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, megjithëse thotë se Kosova ka përmbushur gjitha kriteret për largimin e regjimit të vizave.

Ai para krerëve institucional, në foltoren e Kuvendit ka kërkuar të zbatimin e gjitha marrëveshjeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Edhe Von Cramon nga BE-ja ka thënë se pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse, Kosova Serbi s’do të pranohen në Bashkimin Evropian.

“Pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosova dhe Serbia nuk do të pranohen në Bashkimin Evropian”, ka thënë raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon.

Sipas saj, derisa nuk ka një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të paqes, i tërë rajoni do të ketë ndikime të huaja për të prishur stabilitetin e BE-së.

“Pa një marrëveshe gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pranimi në BE nuk do të ndodh për dy vendet. BE-ja duhet t’i shërbejë Kosovës dhe Serbisë për një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të paqes. I gjithë rajoni do të vazhdojë të jetë një tokë për ndikimet e huaja dhe për të prishur stabilitetin e BE-së, siç e kemi pa në Bosnje”, tha ajo.

Për vite me radhë, liberalizimi i vizave për Kosovën ishte kushtëzuar nga BE-ja me ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Edhe pse Kuvendi i Kosovës, ndonëse me tri vjet vonesë arriti ta ratifikonte demarkacionin, BE-ja më pas nuk arriti konsensusin e brendshëm për t’ua hequr vizat qytetarëve të Kosovës, duke lënë kështu të izoluar padrejtësisht qytetarët e Republikës së Kosovës.

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilët i nënshtrohen regjimit të vizave për të lëvizur në Zonën Schengen.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci