Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, pas dështimit që të formohet Komisioni Hetimor për Energji, për shkak të mungesës së kuorumit, tha se sot është provuar që të ngulfatet demokracia.
Deliu-Kodra u shpreh se PDK-ja i ka shfaqur faktet, që sipas saj, tregojnë keq-menaxhimin e krizës të energjisë.
“Kemi pasur një seancë bukur të gjatë. Temë kryesore ka qenë iniciativa e PDK-së që ky komision të themelohet. Kemi bërë përpjekje që të miratohet ky komision që do të zbardhte dëshmitë e faktet që ne i kemi shfaqur si PDK me shifra konkrete që dyshojmë në keq-menaxhimin e krizës energjetike”.
“Nuk do ta quaja se sot kemi pasur disfatë të opozitës, unë mendoj që sot më shumë se kurrë tjetër ka humbur mazhoranca. Sot është provuar të ngulfatet demokracia që një shumicë t’i bllokojë iniciativat kushtetuese”, shtoi ajo.
Sipas saj, nuk ka pasur ndonjëherë tentim që të bllokohet një komision hetimor parlamentar nga opozita.
“Në historinë e parlamentarizmit, unë nuk mbaj mend se ka pasur ndonjëherë tentim që të bllokohet një komision hetimor parlamentar i opozitës. Jam e bindur se sot më shumë se çdokush tjetër ka humbur shumica”, vijoi ligjvënësja opozitare në Kanal 10.
