Shërbimet e sigurisë posedojnë informacione se presidenti i Kroacisë Zoran Millanoviq dhe këshilltarët e tij janë në kontakt me Shërbimin e Inteligjencës Ushtarake të Rusisë (GRU) dhe me Shërbimin e Inteligjencës dhe të Sigurisë së Rusisë (SVR).
Gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit të kaluar, presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Millanoviq, ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me anëtarë të Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme Ruse, SVR. Besohet se oficerët e inteligjencës ruse kanë vepruar nën emrat e rremë si Igor Krizhayev dhe Andrei Svesotov. Përveç kësaj, këshilltari i Millanoviqit, Orsat Mileniq, kishte kontakte me Dimitrij Mokrov, nënkolonel i shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse GRU, i cili vitet e fundit ka shërbyer në në ambasadën e Federatës Ruse në Beograd, shkruan portali boshnjak Istraga.ba.

Sipas dokumenteve të disa agjencive të sigurisë (një nga raportimet është bërë në janar të vitit 2022), presidenti i Republikës së Kroacisë dhe bashkëpunëtorët e tij janë në kontakte të vazhdueshme me zyrtarët rusë. Sipas këtyre dokumenteve, ambasadori rus në Kroaci, Aleksandar Nesterenko ka deklaruar në qarqet diplomatike se ai “e konsideron presidentin e Republikës së Kroacisë një mik të madh të Rusisë dhe një avokues i interesave të saj në Ballkan”, dhe se Rusia ia jep (Zoran Millanoviqit ) mbështetje të padiskutueshme në aktivitetet e tij politike, veçanërisht në “forcimin e miqësisë ruso-kroate dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta ruso-kroate në Ballkan dhe në Bosnje dhe Hercegovinë”.
Operacionet Millanoviq
Informacionet janë marrë në janar të këtij viti dhe sipas tyre, Zoran Millanoviqi, në koordinim me rusët, ka marrë detyra: “të përpiqet të marrë të djathtën në Republikën e Kroacisë, të marrë shoqatat e veteranëve nëpërmes të dekorimit të oficerëve të Ushtrisë së Kroacisë, të themelojë bashkëpunimi me Asamblenë e Përgjithshme Kroate, të aktivizohet në mbrojtjen e të drejtave të kroatëve në BeH, të punojë për lidhjen e udhëheqjes së Republikës Serbe me autoritetet kroate, të shpallë Millorad Dodikun partner konstruktiv politik, të forcojë boshtit Dodik-Çoviq, të propagandojnë rrezikimin e kroatëve, por edhe të serbëve në BeH nga nacionalizmi boshnjak në rritje dhe dominimin e boshnjakëve, të insistojë që BE dhe NATO të informohen për islamin radikal që dominon në BeH, të sjellë Qeverinë e Republikës së Kroacisë dhe Andrej Pllenkoviqin në pozitë që të mbrojë veprimet e boshtit Dodik-Çoviq, si dhe të jetë pengesë për sanksionimin e tyre në institucionet e BE-së”, transmeton Paparaci.
Se ka filluar Millanoviqi t’i përmbushë këto detyra, është e qartë tashmë një kohë të gjatë. Dokumentet janë krijuar në fund të janarit dhe në to thuhet se Millanoviqit i është dhënë detyra për të krijuar bashkëpunim me Asamblenë e Përgjithshme Kroate. Në faqen e internetit të presidentit të Republikës së Kroacisë, më 22 shkurt të këtij viti, thuhej se “Presidenti Zoran Millanoviq ka diskutuar me udhëheqjen e re të Asamblesë së Përgjithshme Kroate, një shoqatë që mbledh gjeneralët në pension dhe brigadierët e Ushtrisë Kroate nga Lufta Atdhetare”.
“Në takim morën pjesë Marinko Kreshiq, kryetari i ri i Asamblesë së Përgjithshme Kroate, i zgjedhur në seancën e Asamblesë Zgjedhore të mbajtur më 22 janar 2022, nënkryetari Lubo Qesiq dhe dy nënkryetarët, Mlladen Krulac dhe Frane Tomiçiq, është publikuar nga Zyra e presidentit të Republikës së Kroacisë.
Një nga detyrat që Zoran Millanoviq kishte marrë nga partnerët e tij rusë është “shpallja e Millorad Dodikut si politikan konstruktiv”.
“Anëtari i Kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës Millorad Dodik është partneri kroat në Bosnje dhe Hercegovinë dhe problemi i mbivotimit të kroatëve nga shumica boshnjake nuk mund të zgjidhet pa serbët e BeH”, ka deklaruar Zoran Millanoviq më 17 janar të këtij viti.
Por “koordinimin e presidentit kroat me diplomatët rusë” nuk zbulojnë vetëm deklaratat e Millanoviqit për Bosnje-Hercegovinën dhe Millorad Dodikun. Edhe vetë kryeministri kroat Andrej Pllenkoviq ka thënë më 26 prill të këtij viti se “Zoran Millanoviq u bë një lojtar pro-rus”.
Dekorimi i ambasadorit rus
Ishte data 14 shtator 2020, kur presidenti kroat Zoran Millanoviq i dha Urdhrin e Princit Branimir me gjerdan të Republikës së Kroacisë ambasadorit të atëhershëm rus AS Azimov në ambasadën ruse në Zagreb për “kontribut të madh për zhvillim të marrëdhënieve ruso-kroate”.

Që nga atëherë, presidenti kroat Zoran Millanoviq u bë yll i mediave ruse. Në tetor të vitit 2020, në portalin e Agjencisë Federale të Informacionit Ruse Regnum.ru, u transmetuan deklaratat e Millanoviqit kundër SHBA dhe NATO-s, e në të cilat ai glorifikon rolin e Federatës Ruse. Bëhet fjalë për deklaratat e presidentit të Republikës së Kroacisë për “Iniciativën e Tre Deteve”, një platformë politike joformale e iniciativës së vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore, shteteve anëtare të BE-së, të cilat shtrihet përgjatë brigjeve të tre deteve – Baltikut, Adriatikut dhe Detit të Zi. Iniciativa e Tre Deteve u krijua për të reduktuar ndikimin energjetik të Rusisë në vendet e BE-së.
Millanoviq për “Iniciativën e Tre Deteve”: Nuk dua izolimin e Rusisë
“Iniciativa e Tre Deteve është kundër produktive dhe potencialisht e dëmshme për Kroacinë për shkak të përkeqësimit të mundshëm të marrëdhënieve me Berlinin dhe Moskën”, ka deklaruar presidenti kroat Zoran Millanoviq më 19 tetor, e të cilën deklaratë kanë transmetuar të gjitha portalet ruse.
Ai ka përkujtuar se këtë iniciativë e ka nisur administrata e ish-presidentit amerikan Barack Obama. Sipas fjalëve të Millanoviqit, të cilat janë cituar nga mediat ruse, qëllimi i Uashingtonit ishte të impononte gazin natyror të lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara dhe të izolonte Rusinë.
“Kështu që nuk do të marr pjesë në izolimin e Rusisë, mendoj se kjo është marrëzi dhe e dëmshme për Kroacinë. Ne e kuptojmë se ky është qëllimi edhe i administratës aktuale amerikane”, ka thënë Millanoviq, përcjell Paparaci.
Pak para agresionit rus në Ukrainë, në janar 2022, presidenti kroat Zoran Millanoviq nisi një konflikt me kryeministrin kroat Pllenoviq.
“Pllenkoviq po sillet si agjent ukrainas, ndërsa unë si president kroat. Ky është dallim i madh. Unë nuk po i lëpihem rusëve. Unë kurrë nuk kam qenë atje zyrtarisht. Nuk kurrë nuk kam pirë kafe me ambasadorin rus”, ka thënë Millanoviq, duke harruar se ishte ai që e dekoroi ambasadorin rus me Urdhrin e Princ Branimirit.
Edhe kjo deklaratë përfundoi në portalet e të gjitha mediave ruse, të cilat filluan t’i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje qëndrimeve pro-ruse të presidentit të Republikës së Kroacisë, Zoran Millanoviq.
Deklaratat e fundit të Zoran Millanoviqit për anëtarësimin eventual të Finlandës dhe Suedisë në NATO kanë tërhequr vëmendje të madhe edhe në Rusi. Ky është teksti i “RIA Novosti-t” rus.
“Presidenti kroat Zoran Millanoviq ka kundërshtuar anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, para se të zgjidhen çështjet në Ballkan. “Futja e Finlandës në këtë, e cila është 50 kilometra larg Shën Petersburgut, mendoj se është shaka e rrezikshme”, përfundoi Millanoviq”, ka raportuar RIA, dhe është transmetuar nga të gjitha portalet e tjera.
Por para se të bëhet më se e qartë se Millanoviq është një politikan pro-rus, ia vlen të kujtojmë disa rreshta nga karriera e tij politike dhe lidhjet e tij me biznesmenët rusë nga sektori i energjisë, të cilët janë aktualisht në listat e zeza në mbarë botën.
Në tetor të vitit 2020, Istraga.ba ka publikuar një artikull me titull – “Presidenti i Kroacisë dhe marrëdhëniet me Rusinë: Bombat me gaz të Zoran Millanoviqit”. Në vazhdim të përkujtojmë disa citate nga ai tekst.
Igor Sechin, Zhelko Runje dhe Zoran Millanoviq – një dekadë lidhje
Në vitin 2013 dukej se ishte vetëm një lajm i thjeshtë. Kryeministri kroat Zoran Millanoviq priti përfaqësuesit e kompanisë ruse Rosneft Oil në “Banski dvori”(selia e Qeverisë së Kroacisë). Delegacioni drejtohej nga oligarku i fuqishëm i Putinit, Igor Sechin.
“Ata diskutuan për mundësinë e bashkëpunimit në kërkim, përpunim, ruajtje dhe transport të naftës dhe gazit, si dhe mundësinë e bashkëpunimit në fushën e energjisë elektrike”, u kumtua atëbotë nga zyra e Zoran Millanoviqit.
Sipas kumtesës, kryeministri Millanoviq ka shprehur interes dhe ka “theksuar se Kroacia është e hapur ndaj të gjithë investitorëve që kanë njohuri dhe mjete dhe se ata janë të mirëpritur në tregun kroat”.
“Në bisedë morën pjesë kryetari i Kompanisë së naftës Rosneft, Igor Sechin, nënkryetari i parë Eduard Khudaynatov dhe nënkryetari i kësaj kompanie, Zhelko Runje”, u kumtua nga Banski dvori.
Në takim në emër të delegacionit kroat, përveç Zoran Millanoviqit, mori pjesë edhe ministri i atëhershëm i ekonomisë, Ivan Vërdolak.
Kreu i delegacionit rus, Igor Ivanovich Sechin, është një oligark rus, i cili prej vitesh konsiderohet si një nga aleatët më të ngushtë të Vladimir Putinit. Ai është në krye të kompanisë shtetërore Rosneft, e cila së bashku me Gazprom-in është një nga kompanitë më të rëndësishme të naftës nga Rusia, pas të cilëve qëndron Moska zyrtare.
Nënkryetari i Sechinit, Zelko Runje, është shtetas kroat i lindur në Split, i cili me vite jeton dhe punon në Rusi. Mediat në Kroaci e përshkruajnë atë si kroatin më të pozicionuar në biznesin e naftës. Në janar të vitit 2020, gazeta kroate “Nacional” ka publikuar se Runje ishte njeriu kyç në fushatën e Millanoviqit, sepse Rosneft, përmes tij, donte të merrte INA-n nga MOL-i hungarez.

Prej 24 marsit të këtij viti biznesmeni kroat Zhelko Runje gjendet në listën e personave të sanksionuar në Britaninë e Madhe. Runje është kroati i parë që është nën sanksione për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës./Paparaci
