Ioannis Armakolas nga “Hellenic Foundation for Europian and Foreign Policy”, i cili është në mesin e katër autorëve grekë që po kërkojnë njohjen e Kosovës nga Greqia, thotë se diplomacia greke është e përhumbur nga sindroma që e dobësojnë rolin e saj në botë.
Ai shton se dilpmacia greke po reziston ndaj ndryshimit, duke e marrë shembull qasjen e shtetit helen karshi Kosovës.
“Pavarësia e Kosovës është realitet politik i pakthyeshëm”, thekson ai. “Një Greqi e sigurt mund të formulojë një politikë të njohjes së këtij realiteti, në mënyrë që të bashkëformojë zhvillimet e ardhshme në Ballkan, në përputhje me interesat e veta.
Greqia përmes konsolidimit të statusit ndërkombëtar të Kosovës do të kontribuojë në mënyrë të vendosur edhe në integrimin e Ballkanit Perëndimor në institucionet perëndimore, në kuadër të të cilave ajo merr pjesë plotësisht në procesin e vendimmarrjes së bashku me partnerët e saj evropianë”, deklaroi ai.
“Mosnjohja e shtetit të sapoformuar është pasojë e politikës sonë të gabuar dhe të dështuar gjatë luftërave jugosllave. Politika jonë për çështjen e Kosovës na mban të bllokuar në dilemat diplomatike të së kaluarës, ndërsa njëkohësisht dobëson rolin tonë rajonal”, shkroi ai.
Ai nënvizoi se Serbia në të kaluarën ka zgjedhur politika të pamatura dhe kundër interesit të Greqisë, ndërkaq ka përmendur se shteti serb kultivon marrëdhënie të ngushta me regjimin e Erdoganit.
“Greqia mund dhe duhet të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me shqiptarët si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut dhe këto nuk duhet të ndikohen nga luhatja e marrëdhënieve mes Athinës dhe Tiranës”, shkruan ai.
Ndërkaq, “Shqipëria e Madhe” është një skenar pothuajse i pamundur, sipas Armakolas, pasi thotë se elitat shqiptare nuk e mbështesin.
