Një anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, republikani Adam Kinzinger, ka prezantuar një projekt-rezolutë me të cilën lejohet përdorimi i forcave ushtarake amerikane për të mbrojtur Ukrainën në rast se Rusia përdor armë të shkatërrimit në masë.
Në një shpjegim të draftit, të publikuar në faqen e tij të internetit, Kinzinger thekson se rezoluta është krijuar për të siguruar që administrata amerikane mund të marrë masat e duhura nëse Federata Ruse përdor armë kimike, biologjike ose bërthamore, transmeton Paparaci.
Ai shtoi se iniciativa, nëse miratohet, i ka dhënë presidentit të SHBA autoritetin për të përdorur forcat amerikane për t’iu përgjigjur një skenari në të cilin Federata Ruse përdor armë kimike, biologjike ose bërthamore kundër Ukrainës.
“Ne duhet të ngrihemi për njerëzimin së bashku me aleatët tanë”, ka theksuar kongresmeni.
Deri më tani, administrata e presidentit amerikan Joe Biden ka hedhur poshtë mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë, duke shpjeguar se një skenar i tillë do të rrezikonte një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak midis Rusisë dhe NATO-s./Paparaci
