Është anuluar konkursi i disa javëve më herët i Korporatës Energjetike të Kosovës për plotësimin e 150 pozitave të lira të punës, në të cilin u punësuan familjarë të funksionarëve të LVV-së në Obiliq, si dhe të afërm me anëtarët e komisionit pranues.
Lajmin e ka bërë të ditur KEK-u përmes një njoftimi për media, raporton Paparaci.
“Sot ka përfunduar punën komisioni i pavarur për vlerësimin e procesit të rekrutimit i përberë nga eksperti i pavarur ligjorë i angazhuar në projektin e BE-së për reforma në administratën publike, eksperti i pavarur i proceseve të rekrutimit dhe zyrtari ligjorë i KEK-ut. Duke u bazuar në rekomandimet e komisionit të pavarur, z. Nagip Krasniqi, Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës ka marrë vendim për anulimin procesit duke filluar nga selektimi, rezultatet e testit me shkrim dhe intervistat me gojë për të gjitha pozitat e shpallura sipas konkursit për plotësimin e 127 pozitave të lira, si dhe përsëritjen e këtyre fazave për të gjithë kandidatët që i plotësojnë kriteret e parapara me konkurs”, thuhet në njoftim.
“Bazuar në të gjeturat, komisioni i pavarur ka dhënë rekomandim për anulimin selektimit, rezultateve të testit me shkrim dhe intervistave me gojë për të gjitha 127 pozitat e shpallura me konkurs, bazuar në të cilin është marrë edhe vendimi i Kryeshefit Ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës”, vijon njoftimi.
Sipas një hulumtimi të Paparacit, punësimet familjare e partiake në konkursin e fundit në KEK kanë komprometuar procesin e rekrutimit.
Anëtarët e Komisionit vlerësues kanë pranuar në punë djem e vëllezër të tyre. Rasti më i rëndë është ai i punësimit të djalit të zyrtarit kryesor të Auditimit, Ismet Vrapçani.
Dëshmitë që u publikuan nga Paparaci vendosën në lëvizje Prokurorinë Themelore në Prishtinë e cila inicioi hetime ndaj procesit.
Nepotizëm, konflikt interesi, punësime militantësh – krimi i pushtetit me punësime në KEK