Kuvendi Komunal i Prishtinës nesër do ta mbajë mbledhjen e radhës, ku mes tjerash, në rend dite është edhe propozimi për anulimin e një vendimi të ish-kryetarit Shpend Ahmeti.
Bëhet fjalë për ndihmën prej 50 mijë eurosh që në kohën e Ahmetit ishin ndarë ndaj Shoqatës së Gastronomëve të Prishtinës. Vendimi ishte marrë më 17 maj të 2021-s, ndonëse mjetet nuk janë alokuar deri më tani në adresë të gastronomëve.
Komuna e Prishtinës atëkohë pati ndarë 50 mijë euro për shoqatën e Gastronomëve të Prishtinës me të cilat thuhej se do bëhet një studim fizibiliteti për shtrirje të terasave dhe menaxhim të zhurmës.
Megjithatë, ky vendim pritet të anulohet të martën nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, pavarësisht se Shoqata e Gastronomëve të Prishtinës e quajnë të padrejtë nëse ndodhë një gjë e tillë.
Në pikën e tretë të rendit të ditës të kësaj mbledhje thuhet se do të bëhet propozimvendimi për anulimin e vendimit për subvencionimin e Shoqatës së Gastrnomëve në Prishtinë.
Paparaci ka provuar të kontaktojë me Arian Vranicën nga Shoqata e Gastronomëve, i cili theksoi se janë kundër nëse asambleja komunale e Prishtinës ndërmerr hapat që të anulohet vendimi, i cili daton nga maji i vitit të kaluar.
“Pavarësisht se mjetet nuk janë alokuar ende nga Komuna e Prishtinës, ne jemi kundër që kuvendi komunal në Prishtinë ta anulojë një vendim të tillë”, tha Vranica për mediumin.
Tutje, ai shtoi se “Komuna po i fajëson gastronomët lidhur me dokumentacionet, ndonëse ka pasur plotësim-ndryshim vendimi i majit”.
Vitin e kaluar, kryetari i atëhershëm i Prishtinës, Shpend Ahmeti, lidhur me këtë subvencion deklaronte se kjo ndihmë është kërkuar nga përfaqësues të shoqatës për funksionalizim më të mirë.
Sipas tij, së bashku me komunën do kryhet studimi për shtirje të terrasave pasi po rrezikohet hapësira publike.
“Për herë të parë po e them se Shoqata e Gastronomëve është shumë më e organizuar pasi janë bërë bashkë për shkak të gjendjes së pandemisë. Si pjesë e ekonomisë së Prishtinës, kjo shoqatë ka krijuar mijëra vende të punës. Kësaj radhe Shoqata e Gastronomëve kanë kërkuar ndihmë për funksionalizim, por fillimisht ne kemi kërkuar që të rregullohet çështja e terasave, pasi po rrezikohet hapësira publike”, kishte thënë Ahmeti.
Ende nuk dihet nëse do të anulohet një vendim i tillë apo çfarë rezultate janë arritur nga gastronomët pas këtij subvencionimi.
Të martën, Kuvendi Komunal në Prishtinë ka do ta mbajë mbledhjen e katërt me radhë.
Në rend dite janë 12 pika. Përveç propozim-vendimit për anulimin e vendimit të Ahmetit, pritet të themelohen edhe disa komitete në kuadër të Kuvendit Komunal.
Po ashtu, pritet të subvencionohen klubet e basketbollit, hendbollit dhe vollejbollit në Prishtinë.
Ndihmë sociale pritet të marrin edhe nënat lehona.

